Italianët:  Juventusi e meritoi çerekfinalen

schedule12:34 - 8 Mars, 2018

schedule 12:34 - 8 Mars, 2018

Juventusi realizoi një përmbysje të madhe në Londër ndaj Totenhemit duke dalë në çerekfinale të Championsit. Italianët e quajtën fitoren të merituar, ndonëse anglezët kishin opinion të kundërt.

Në futbollin italian ka një shprehje, “duhet të dish të vuash”.

Ia ka mësuar përvoja e gjatë, sidomos skuadrave të tilla si Juventusi, që e pati një vuajtje vërtet të madhe në Champions.

Totenhemi u duk nga një planet tjetër në stadiumin “Uembli” të Londrës, duke e dominuar kampionen e Italisë në kuptimin e plotë të kësaj fjale.

Në një përpjekje tepër të vështirë, veteranët italianë ia dolën ta përballonin ofensivën angleze, me minimumin e pasojave, ndërsa pritën rastin e tyre.

Rezultoi vendimtare eksperienca e një ekipi që luan çdo vit në kupat e Europës, dhe që ka 7 finale Championsi, edhe pse shumicën të humbura.

Totenhemi i shkëlqyer dhe pa përvojë e konkretizoi epërsinë vetëm me një gol, dhe ai ishte momenti, kur Juventusi goditi.

Golat e Higuainit dhe Dibalës erdhën në vetëm 3 minuta.

Alegri: “Ishte momenti i duhur, pasi ata ishin paksa të lodhur dhe ne duhej të bënim më shumë lojë, të kishim më shumë cilësi në fazën sulmuese. Më vjen mirë që zëvendësimet e mia dhanë rezultat, por ndeshjen nuk e fitova unë. Atë e fituan futbollistët që u treguan shumë të pjekur dhe inteligjentë. Gjithsesi, bëmë gabime dhe vuajtëm nga që e humbëm shpesh topin, dhe për këtë duhet të përmirësohemi. Natyrisht, vuajtja është pjesë e sezonit, por këto ditë arritëm dy rezultate të mëdha, ndaj Lacios dhe në Londër. Për fat të keq, jemi të vjetër, Barxali është 37 vjeç, Kielini 34”.

Autor i golit të parë, që nisi kthesën ishte Gonzalo Higuain.

Sulmuesi argjentinas u pyet nëse do ta dëshironte një short në çerekfinale ndaj ish-ekipit të tij, Realit të Madridit.

Higuain: “Kush të na bjerë, le të na bjerë, qoftë Reali apo dikush tjetër. Shorti është çështje fati. Që të arrish në finale duhet të fitosh me më të fortët. Përsa i përket ndeshjes, e vërteta është se kurrë nuk e humbëm qetësinë. E dinim se duhej të shënonim për t’u kualifikuar, madje edhe kur ishin në shifrat 0-0. Për fat të keq pësuam gol dhe e patëm të vështirë, por e dinim se do të kishim rastet tona siç edhe i patëm”.

Xhorxho Kielini u shpall lojtari i ndeshjes, ndërsa u shpreh në përfundim se “rezultati ishte imerituar, pa i hequr asnjë meritë Totenhemit që pati raste të shkëlqyera. Atyre u mungon ajo diçka që duhet të për të fituar ndeshje të tilla, ndërsa ne shfrytëzuam përvojën”.

Po trajneri i Totenhemit, Poçetino, çfarë mundi të thoshte pas këtij fundi të hidhur?

Poçetino: “Në më pak se 3 minuta ne lejuam që të pësonim dy gola. Ishin dy gabime të mëdha dhe kjo është arsyeja që ne jemi jashtë Championsit. Sidoqoftë, unë mendoj se në të dyja ndeshjet ne merituam më shumë, dhe ishim skuadra më e mirë, por në futboll nuk mjafton ta meritosh, por duhet të shënosh golat. Gjithsesi, unë jam krenar me skuadrën time, me lojtarët e mi. Mendoj se luajtëm futboll fantastik”.

Poçetino ka të drejtë.

Për fat të keq, në futboll nuk fiton gjithnjë më I miri, por shpesh ai që është më cinik.

Gjithsesi, ndeshja në Londër ishte e bukur në radhë të parë sepse luajti Totenhemi, jo vetëm për përmbysjen e Juventusit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!