Italianët ikin pa paguar në Maltë/ Babai i njërit prej të rinjve njeh të birin nga gazetat dhe paguan faturën e restorantit

schedule09:37 - 30 Gusht, 2023

schedule 09:37 - 30 Gusht, 2023

Një grup të rinjsh italianë u bënë sërish tituj nëpër mediat e huaja pasi u larguan nga një restorant në Maltë pa paguar faturën. Edhe në këtë rast, siç ndodhi disa javë më parë në Shqipëri, në atë kohë ishte kryeministrja Georgia Meloni, një person i tretë ndërhyri për të shlyer faturën e tyre.

Ishte babai i njërit prej të rinjve, i cili njohu të birin nga gazetat. Ngjarja ndodhi më 25 gusht në Msida, një qytet i vogël në ishullin e Maltës. Protagonistët e ngjarjes, të raportuar nga gazetat lokale, janë pesë adoleshentë sicilianë me pushime në ishull, të cilët kishin shkuar për drekë në një restorant italian.

Pasi kishin ngrënë, ata u ngritën nga tavolina njëri pas tjetrit me justifikimin se do pinin cigare, duke ikur pa paguar faturën rreth 100 euro. Pronarët e restorantit raportuan ngjarjen në polici dhe kontaktuan gazetat lokale, duke siguruar pamjet e regjistruara nga kamerat CCTV të restorantit.

Njëri prej pronarëve që ishte sicilian njohur theksin e djemve dhe për këtë arsye ua dërgoi imazhet edhe gazetave të ndryshme lokale italiane. Babai i njërit prej djemve njohu të birin nëpër lajmet që u raportuan dhe kontaktoi menjëherë pronarët e restorantit për të shlyer faturën.

“Ai më telefonoi duke më kërkuar të dhënat e mia për të paguar shumën e duhur. Më tha se djali i tij u pendua menjëherë, po qante me të madhe. I thashë se e vlerësoja shumë gjestin e tij, se ishte njeri i ndershëm dhe baba shembullor, por nuk kishte nevojë të shlyente një faturë 100 euro.

Por ai vazhdoi të insistonte, ndaj i propozova t’ia dhuroja shumën Arkës, një organizatë në ishullin Gozo që kujdeset për personat me aftësi të kufizuara. Ideja ime i bëri shumë përshtypje dhe në fund më telefonoi duke më njoftuar se kishte dhuruar 250 euro.

Ne vetë, në atë moment e tërhoqëm ankesën në polici”, thotë pronari i restorantit për Corriere duke shtuar se babai i kishte thënë se “Verën e ardhshme do ta dërgoj djalin në punë falas”. Oferta u refuzua, por pronarët e restorantit e vlerësuan gjestin./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!