Italia rrezikon të mos shkojë në Botëror

schedule14:34 - 13 Nëntor, 2017

schedule 14:34 - 13 Nëntor, 2017

Italia rrezikon të mos shkojë në finalet e Kupës së Botës. Skuadra e famshme duhet të përmbysë sonte në Milano, humbjen 0-1 të pësuar në ndeshjen e parë të plej ofit ndaj Suedisë.

A thua ky çast do të mbetet vendimtar?

Mbetet të shihet sonte në “San Siro” të Milanos, ku Italia pret Suedinë në orën 20:45, por rreziku është I madh.

Katër herë kampionët e rruzullit janë shumë pranë një eleminimi të rëndë nga Botërori, ndërsa ndeshja e dytë e plej ofit nis me shifrat 1-0 për miqtë.

Vendasit u përgatitën në izolim të plotë, dhe të ndërgjegjshëm për atë që është në lojë.

Si të mos mjaftonte humbja, Italia nuk do të ketë mesfushorin e rëndësishëm, Marko Verrati të pezulluar, ndërsa mbrojtësi Leonardo Bonuçi do të duhet të luajë me maskë në fytyrë për të mbrojtur kockën e thyer të hundës.

Trajneri Ventura që rrezikon shkarkimin, me kualifikim apo jo, jep recetën e tij për sonte.

Ventura: “Taktika është e rëndësishme, por vetëm taktika nuk mjafton. Zemra është e rëndësishme, por sërish nuk mjafton e vetme. As vetëm vendosmëria nuk mjafton. Duhet të kombinohen këto të treja që të kemi garanci për suksesin. Ky është objektivi, t’i kemi të tre këta elementë për t’u kualifikuar”.

Kapiteni Xhanluixhi Bufon, flet krejtësisht hapur.

Bufon: “Sigurisht është një moment I një tensioni të madh, dhe kjo është e pashmangshme, duke pasur parasysh rëndësinë e ndeshjes, dhe po ashtu ndjenjën e përgjegjësisë që duhet të ketë secili prej nesh. Nuk ia vlen të fshihemi. Gjithsesi, ekziston mundësia për të përmbysur rezultatin dhe ne do të bëjmë maksimumin që ta realizojmë këtë ëndërr, këtë objektiv. Një ndeshje e rëndësishme për historinë e kombëtares sonë”.

Edhe më i madh është presioni mediatik, i cili e cilëson sfidën si një finale.

“Il Korriere delo Sport” I bën jehonë fjalëve të kapitenit Bufon: Kalojmë ne!

“La Gazeta delo Sport” titullon: Gjithçka ose asgjë! Botërori, basti I Venturës për të shmangur apokalipsin!

“La Republika”: Brenda ose jashtë! Kundër Suedisë në “San Siro”, ndeshja që vlen Botërorin!

“Il Gazetino”: E ndaluar të gabohet! Për të Kaltrit, shansi I fundit për të Botëror!

Në Itali, as edhe politika nuk mund të mbetet jashtë futbollit.

Kryeministrit Xhentiloni iu bë pyetja nëse do të shkonte në “San Siro” për të ndjekur kombëtaren.

I tronditur disi pas zgjedhjeve vendore në Siçili, numri 1 I qeverisë u përgjigj thjesht se “do të bëj tifo nga shtëpia”.

Suedezët ndihen me besim, edhe pse e dinë mirë se nuk kanë siguruar asgjë.

Skandinavët kryen stërvitjen e fundit në fushën e “San Siros” një diët para ndeshjes, ndërsa të konfirmuara janë mungesat e Ekdalit të dëmtuar, dhe Larsonit që nuk është fare në grumbullim.

Trajneri Jane Anderson, u ngacmua nga mediat mbi ankesat e italianëve për arbitrimin e ndeshjes së parë.

“Ju më thoni që presidenti I Federatës Italiane, Tavekio, është ankuar tek Infantino në FIFA, – tha ai, – por, kjo për mua ka rëndësi relative. Gjithçka do ta vendosë fusha”.

Dy skuadrat janë ndeshur shpesh me njëra-tjetrën, në eleminatore, në finale të mëdha apo edhe në miqësore, pra mes tyre nuk ka sekrete.

Italia ka 10 fitore ndaj 7 të kundërshtarit, ndërsa 6 ndeshje kanë përfunduar në barazim.

Përballja e fundit ishte vjet në Euro 2016, sfidë që Të Kaltrit e fituan 1-0, ndërsa momenti më I famshëm mbetet goli I shënuar nga Zllatan Ibrahimoviç në Euro 2004, turne ku Suedia e eleminoi Italinë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!