As Lojërat Olimpike Dimërore nuk u kanë shpëtuar tentativave për sulme kibernetike. Në prag të nisjes së Olimpiadës Milano Cortina 2026, Italia ka penguar një seri sulmesh kibernetike.
Ministri i jashtëm italian Antonio Tajani tha se sulmet synonin disa nga zyrat e ministrisë së jashtme, përfshirë një në Uashington, si dhe faqet e internetit të Lojërave Olimpike Dimërore dhe hotelet në Cortina d’Ampezzo.
Duke folur me gazetarët gjatë një udhëtimi drejt Uashingtonit, Tajani tha se sulmet e tentuara ishin nga hakerat rusë, por nuk dha detaje shtesë.
“Janë hakerë rusë, po flasim për sulme ndaj ambasadës italiane dhe faqeve të tjera të internetit që i përkasin Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ne i kemi njoftuar të gjitha autoritetet dhe ekziston një qendër operacionesh pikërisht për të parandaluar këto sulme, të cilat janë me origjinë ruse”-tha Tajani.
Autoritetet italiane po rrisin masat e sigurisë ndërsa udhëheqësit politikë globalë, përfshirë zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, pritet të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes të premten.
Sulmet kibernetike të lidhura me Lojërat Olimpike në të kaluarën ndodhën edhe në Paris në vitin 2024 dhe mendohet se pas tyre qëndronin hakerë rusë.
Shërbimet britanike të inteligjencës thonë se hakerët rusë po parashikonin gjithashtu sulme ndaj Olimpiadës në Tokio në vitin 2021./abcnews.al


