Italia pa “bosht” juventin, “Të Kaltërit” e Spalletti me mjaft futbollistë të rinj

schedule18:12 - 15 Qershor, 2024

schedule 18:12 - 15 Qershor, 2024

Ndoshta kurrë ndonjëherë nuk kanë qenë kaq pak emra. Italia sot nuk na kujton aspak skuadrat legjendare të viteve 1982 apo 2006, madje as atë që u shpall kampione e Evropës në 2021.

Pa shkuar deri në vitet 60-të apo në epokën mes dy luftërave botërore, mjafton të përmendim personalitetet si Zoff, Chirea, Cabrini, Bruno Conti apo Paolo Rossi që dolën kampionë të botës në 1982, Buffon, Cannavaro, Nesta, Del Piero, Totti që fituan sërish Botërorin në Gjermani apo skuadrën e Roberto Mancini, me Donnarumma, Chielini, Bonucci, Verrati apo Insigne në Evropianin e vitit 2021.

Sot kanë mbetur disa nga yjet e Evropianit të fundit, si Chiesa, Donnarumma, Di Lorenzo, Jorghino, madje edhe Nicolo Barella. Gjithsesi, “Të Kaltërit” e sotëm synojnë të bëhen legjenda, dhe nuk janë si ata që dominonin Serinë A dhe kupat e Evropës me Juventus, Milan, Inter apo edhe Roma.

Trajneri Luciano Spalletti nuk ka boshtin tradicional juventin, siç është mësuar dikur Italia. Nga “Zonja e Vjetër” janë 4 lojtarë dhe disa prej tyre shumë të rinj si Gati, Cambiazo e Fagioli. Vetëm Chiesa është një emër i njohur, teksa si shtyllë për ekipin është Inter, kampioni në fuqi i Serie A, me pesë lojtarë, dhe që janë të rëndësishëm si Darmian, Bastoni, Dimarco dhe Barella, si dhe i riu Fratessi.

Lojtarët e tjerë janë të ndarë në ekipe si Napoli, Roma, Lazio, Bologna, Torino, Verona, Genoa e Atalanta, si dhe nga jashtë Italisë si nga Paris Sain-Germain, Tottenham apo Arsenal. Sidoqoftë, në një krahasim me Shqipërinë, duhet thënë se “yjet” italianë janë titullarë në ekipet e tyre, madje mjaft të rëndësishëm, ndërsa nga “Kuqezinjtë” që luajnë në Serinë A këtë epitet mund ta meritojnë vetëm Gjimshiti, Ismajli e deri diku Bajrami. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!