Italia i jep lamtumirën viktimave të tragjedisë së urës

schedule16:14 - 18 Gusht, 2018

schedule 16:14 - 18 Gusht, 2018

Mbarë Italia i ka dhënë lamtumirën viktimave të tragjedisë së urës Morandi. Të pranishëm në ceremoninë e celebruar nga arqipeshkvi Banjasko kanë qenë edhe krerët e shtetit, mes të cilëve presidenti Matarela, që është takuar personalisht me familjet e të ndjerëve, përfshirë ato shqiptare.

Mes lotëve dhe lutjeve, Italia i ka dhënë të shtunën lamtumirën viktimave të tragjedisë së urës Morandi. Nën kujdesin e shtetit italian, në kompleksin “Fiera di Xhenova” janë mbajtur homazhet në nder të viktimave. Në sallën gjigante janë rreshtuar arkivolët me trupat e të ndjerëve, që sipër mbanin flamujt kombëtarë, si dhe kurora me lule të bardha e objekte personale të viktimave.

Të parët që bënë homazhet ishin zjarrfikësit e angazhuar në operacionet e shpëtimit, të cilët morën edhe duartrokitjen më të gjatë.

Efektivët kanë ndaluar pranë çdo arkivoli, kanë shtrënguar duart me familjarët e viktimave dhe kanë bërë shenjën e kryqit. Ndërsa janë pritur me vërshëllima disa deputetë të Partisë Demokratike të Italisë, janë pritur me duartrokitje dy zëvendës kryeministrat Di Maio e Salvini, të shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës, Tonineli.

E mirëpritur ka qenë edhe ardhja e Presidentit, Serxho Matarela, i cili është ndalur për të takuar familjet e të ndjerëve, përfshirë ato shqiptare Djerri dhe Bokrina.

Më pas, arqipeshkvi i Xhenovës, Anxhelo Banjasko ka celebruar meshën.

 “Shembja e urës Morandi ka lënduar zemrën e Xhenovës. Plaga është e thellë dhe mbi të gjitha mban dhimbjen e pakufijshme për ata që kanë humbur jetën, për ata që janë ende të humbur, për ata që janë lënduar, apo për ata që kanë braktisur shtëpitë e tyre”.

Kardinali është shprehur se në këto momente fjalët, sado të ngrohta e njerëzore, janë të kota përpara përmasave të tragjedisë. Madje, ka vijuar ai, as drejtësia që është një detyrim nuk mund të shuajë dhimbjen.

 “Rritja e përmasave të tragjedisë, humbja e kthjelltësisë, shpërthimi i ndjenjave dhe inati prekën edhe njëherë, në mënyrë brutale, brishtësinë e njeriut”.

Përveç fjalëve të kardinalit, një tjetër moment prekës ishte edhe momenti kur presidenti Matarela përqafoi përzemërsisht një djalë, që kishte humbur të afërmit.

Gjithashtu, në shenjë respekti të pranishëm ishin edhe lojtarët e ekipeve rivale të futbollit Xhenoa dhe Sampdoria, të cilat kanë shtyrë ndeshjet në nder të viktimave. Bilanci i të ndjerëve u rëndua mëngjesin e së shtunës, kur skuadrat e shpëtimit nxorrën nga rrënojat mjetin ku udhëtonte një familje prej 3 anëtarësh, një vajzë 9 vjeçe dhe dy prindërit. Sipas mediave italiane, makina e familjes Çekala ishte shtypur tërësisht nga një bllok i madh betoni që ishte pjesë e copës së shembur të urës. Ndërkohë, operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë dhe autoritetet druhen se mund të ketë viktima të tjera. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!