Karabinierët në Itali kanë zbardhur skemën e një lufte mes fiseve shqiptare, që kishte kulmuar dy vjet më parë me një atentat të stilit “far west” në periferi të Milanos. Të mërkurën efektivët kanë arrestuar 8 persona, që veç masakrës ishin të përfshirë në një xhiro të gjerë të shpërndarjes së drogës.
Karabinierët në Itali kanë asgjësuar të mërkurën një grup kriminal shqiptar që menaxhonte një xhiro të gjerë të shpërndarjes së narkotikëve. Sipas mediave italiane, hetimet mbi grupin kishin nisur pas ekzekutimit të dy kushërinjve shqiptarë dy vjet më parë në zonën Kanegrate të Milanos. Në pranga kanë përfunduar 8 persona, 6 prej të cilëve shqiptarë, që vepronin në qytete të ndryshme italiane. Ndaj tyre prokuroria ka ngritur akuzën e posedimit dhe shpërndarjes së sasive të konsiderueshme të kokainës, heroinës dhe marijuanës. Kushërinjtë Alban dhe Agron Lleshaj, 37 dhe 31 vjeç, u vranë më 10 nëntor të vitit 2016, në një atentat të stilit “far west”.
Trupat e tyre u gjetën të masakruar në bordin e një makine të përshkuar nga plumbat. Autorët e krimit të dyfishtë, 5 shtetas shqiptarë të moshave nga 25 në 39 vjeç, u arrestuan më 4 maj të vitit të kaluar, pas një seri zhvendosjesh në qytete të ndryshme të Italisë, por edhe në Shqipëri e Belgjikë për t’i shpëtuar jo vetëm prangave por edhe rregullave të Kanunit. Të mërkurën autoritetet lëshuan urdhër-arreste për 10 persona të tjerë të përfshirë në xhiron e drogës, 8 prej të cilëve shqiptarë që jetonin në zona të ndryshme të Italisë si Milano, Monza, Vareze, Urbino dhe Rovigo. Shqiptarët e arrestuar janë shtetasit: Kastriot Mehmeti, Leonard Kalaj, Pëllumb Delaj, Ilir Aliu, Xhuliano Aliu dhe Ina Çela; ndërsa dy të tjerët mbeten persona në kërkim./abcnews.al