Itali, “tym i zi” nga bisedimet për formimin e qeverisë

schedule19:41 - 5 Prill, 2018

schedule 19:41 - 5 Prill, 2018

Detyra e presidentit të Italisë, Sergio Mattarella për të bindur partitë e dala nga zgjedhjet e marsit të krijojnë qeverinë po rezulton më e vështirë nga sa mendohej. Në përpjekjet e tij për të zgjidhur ngërçin politik, kreu i shtetit po përballet me përçarjen e partive të koalicionit të djathtë dhe kokëfortësinë e qendrës së majtë për të dalë në opozitë. Bisedimet formale të ndërmjetësuara nga Mattarella kanë hyrë në ditën e dytë, por këshillatrët e presidentit kanë paralajmëruar se procesi mund të zgjasë për javë të tëra derisa të arrihet në një zgjidhje. Liderët e partive kur kanë lënë zyrat e Kuirinales kanë deklaruar se nuk mund të bien dakord me kërkesat e presidentit, duke ia komplikuar edhe më shumë detyrën atij. Radikali Matteo Salvini ka deklaruar se dëshiron të krijojë një qeveri të qëndrueshme me aleatët e qendrës së djathtë, por është shprehur i vetëdijshëm se për të realizuar këtë i duhet bashkëpunimi me Lëvizjen 5 Yjet. “S’është nevoja të jesh shkencëtar për të kuptuar se çdo zgjidhje tjetër do të ishte e përkohshme dhe e improvizuar”, ka thënë ai. Nga ana tjetër, Silvio Berlusconi, aleati kryesor i Salvinit, e ka bërë të qartë se nuk dëshiron asnjë lidhje me 5 Yjet, e cila gjithashtu ka përjashtuar çdo mundësi për një aleancë me ish-kryeministrin dhe biznesmenin miliarder, të cilin e ka përshkruar si një figurë politike të dështuar e të mbuluar nga skandalet ndër vite. /abcnews.al