Qeveria italiane ka miratuar të hënën në mënyrë unanime dekretin e ri që parashikon dëbimin dhe heqjen e nënshtetësisë për emigrantët që kryejnë krime. Për ministrin Salvini, dekreti është një hap për ta bërë Italinë më të sigurtë, por që për t’u kthyer në ligj duhet të votohet në Parlament.
Qeveria italiane ka kaluar një dekret i cili do ta bëjë më të lehtë dëbimin e emigrantëve dhe t’u heqë atyre nënshtetësinë italiane. Me dekretin në fjalë, emigrantët do të dëbohen nëse shpallen fajtorë për krime serioze si dhunim apo agresion. Më parë kjo ishte e mundur vetëm përmes një procesi të gjatë gjyqësor. Ministri i Brendshëm, Mateo Salvini e cilësoi masën në fjalë një hap përpara për ta bërë Italinë më të sigurtë. Tani qeverisë i duhet vetëm mbështetja në Parlament. Dekreti parashikon gjithashtu se të gjithë azilkërkuesve të përfshirë në krime të lidhura me drogën do t’u refuzohet aplikimi. Emigracioni ka qenë një nga pikat kyçe të Salvinit gjatë fushatës elektorale dhe një nga prioritetet që kur erdhi në pushtet përmes aleancës me Lëvizjen 5 Yjet. Gjithashtu, ministri i Brendshëm u bë kundërshtari kryesor i ankorimit të anijeve me emigrantë në portet e Siçilisë dhe aktualisht është nën hetim për një nga vendimet e tij. Në një zhvillim tjetër, një anijeje shpëtimi që vepronte në qendër të Mesdheut iu revokua liçenca dhe automatikisht e drejta e veprimit për t’u ardhur në ndihmë vakrave me refugjatë që nisen nga Libia. Shpesh herë Salvini i ka cilësuar mjetet e shpëtimit si shërbim taksije për emigrantët. Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 1.700 emigrantë kanë humbur jetën në përpjekje për të arritur Europën në vitin 2018. /abcnews.al