Itali, presidenti shpërndan parlamentin

schedule21:37 - 28 Dhjetor, 2017

schedule 21:37 - 28 Dhjetor, 2017

Pas përfundimit të mandatit të qeverisë, presidenti italian Serxho Matarela shpërndau Senatin dhe Dhomën e deputetëve. Ndërsa Këshilli i Ministrave aprovoi vendimin për zhvillimin e zgjedhjeve të reja me 4 mars.

Legjislatura e 17-të përfundoi. Tashmë është zyrtare, Italianët me 4 mars do tu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur anëtarët e rinj të parlamentit. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave që aprovoi dekretin për datën e zhvillimit të zgjedhjeve. Më herët, presidenti Italian, Serxho Matarela, pasi u takua me drejtuesit e dy degëve të parlamentit, firmosi shpërndarjen e Senatit dhe të Dhomës së Deputetëve.

Gijthashtu në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është vendosur që me 23 mars do të mblidhen për herë të parë, dy degët e parlamentit italian. Në këto seanca do të zgjidhen drejtuesit respektivë.
Ndërkohë, më herët kryeministri Paolo Xhentiloni mbajti fjalimin e fundvitit. “Qeveria ka arritur një objektiv të rëndësishëm, ai i përfundimit të mandatit të saj të rregullt”, u shpreh ai. Ndërsa më tej theksoi se Italia është rivënë në punë pas krizës më të rëndë që pas luftës dhe meritë për këtë kanë familjet dhe sipërmarrjet. Xhentiloni u shpreh se nëse qeveria do të kishte ndërprerë mandatin para kohe atëherë do të kishte qenë shkatërruese për vendin në një moment shumë delikat për ekonominë italiane.

Duke paralajmëruar fitoren e së majtës në zgjedhjet e ardhshme, Xhentiloni tha se e majta është në shërbim të vendit dhe kjo është dëshmuar nga qeveria e drejtuar nga Leta, Renzi dhe ai vetë. Ndërkohë, 63-vjeçari nuk pranoi të parashikonte një tjetër mandat si kryeministër./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!