Itali, partitë në pushtet propozojnë uljen e moshës së votimit

schedule22:21 - 30 Shtator, 2019

schedule 22:21 - 30 Shtator, 2019

Koalicioni qeverisës në Itali ka mbështetur idenë për reduktimin e moshës së votimit për të rinjtë. Pas protestave globale kundër ndryshimeve të klimës, ulja e moshës shihet si një mundësi për të dëgjuar kërkesat e 16-vjeçarëve.

Partitë e koalicionit qeverisës në Itali deklaruan të hënën se ishin në favor të reduktimit të moshës së votimit në 16 vjeç, një lëvizje e cila sipas analistëve vendas do të rrisë elektoratin me 1 milion persona.

Nëse bëhet, Italia do të jetë vendi i dytë në BE pas Austrisë që ul moshën minimale për të marrë pjesë në zgjedhjet kombëtare nën 18 vjeç.

Ish-kryeministri Enriko Leta nxiti debatin ditën e hënë kur bëri thirrje për uljen e moshës, pasi të rinjtë në mbarë botën mbushën rrugët e qyteteve për të kërkuar aksion politik ndaj ndryshimeve të klimës.

“Është një mënyrë për t’iu thënë këtyre të rinjve se i marrim seriozisht kërkesat e tyre”, deklaroi Leta, aktualisht akademik dhe anëtar i partisë bashkëqeverisëse Demokratike.

Aktualisht italianët duhet të mbushin 18 vjeç për të zgjedhur përfaqësuesit në dhomën e ulët të Parlamentit dhe të jenë 25 për të votuar në zgjedhjet për Senatin.

Thirrja e ish-kryeministrit u mbështet nga kreu i Partisë Demokratike, Nikola Xingareti dhe ai i Lëvizjes 5 Yjet, Luixhi Di Maio.

“Të rinjtë duhet të respektohen, dëgjohen dhe të jenë në qendër të politikës”, shkroi Di Maio në profilin e tij në Facebook.

Vende të ndryshme të BE-së, përfshirë Gjermaninë dhe Skocinë, u lejojnë 16-vjeçarëve të votojnë në zgjedhjet lokale, por Italia do të ishte shteti i parë i madh i Europës për të lejuar këtë grupmoshë në zgjedhjet parlamentare./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!