Itali, parlamenti redukton numrin e deputetëve

schedule23:07 - 8 Tetor, 2019

schedule 23:07 - 8 Tetor, 2019

Parlamenti në Itali ka miratuar shkurtimin e numrit të deputeteve dhe senatorëve. Ligji është miratuar me shumicë dërrmuese votash dhe është përshëndetur nga kryeministri Giuseppe Conte, që e ka cilësuar një ligj historik.

Dhoma e ulët e Parlamentit italian ka miratuar përfundimisht pasditen e së martës ligjin që parashikon shkurtimin e numrit të ligjvënësve. Drafti kushtetuese është aprovuar me 553 vota pro, 14 kundër dhe 2 abstenime.

Ai shkurton numrin e deputetëve nga 630 që janë aktualisht më 400 dhe atë të senatorëve nga 315 në 200. Duke qenë se bëhej fjalë për një ligj kushtetues ishte e nevojshme shumica e anëtarëve të Asamblesë, ose 316 vota.

Miratimi është pritur me duartrokitje nga salla, kryesisht nga deputetët e Lëvizjes 5 Yjet, e cila kishte promovuar ligjin. I pranishëm në sallë ka qenë edhe kryeministri Giuseppe Conte, i cili megjithatë ka zgjedhur rrjetin social Tëitter për të reaguar.

“Bëhet fjalë për një reformë që ul shpenzimet e politikës dhe bën më funksionale dhomat e Parlamentit. Ky është një hap konkret për të reformuar institucionet tona dhe një ditë historike për Italinë”, ka shkruar Konte në profilin e tij. Në të njëjtat linja është shprehur edhe ministri i Jashtëm Luixhi di Maio, i cili ia ka dedikuar fitoren qytetarëve italianë.

“Kjo është një fitore historike. Është fitorja juaj”, ka thënë ai.

Shkurtimi i numrit të ligjvënësve në të dyja dhomat e parlamentit italian pritet të sjellë në arkën e shtetit një kursim prej 100 milionë eurosh në vit, ndërkohë që deri më sot kostoja ka qenë deri në 500 milionë euro për legjislaturë./ABC News Albania 24/7