Lëvizja 5 Yjet dhe Liga e Veriut në Itali kanë rënë dakord për programin qeverisës, por nuk po gjejnë konsensus për figurën e kryeministrit. Kreu i radikalëve, Matteo Salvini ka deklaruar se nëse nuk zgjidhet një emër deri të hënën për zhbllokimin e situatës do të vendosë presidenti.
Dy partitë që po negociojnë krijimin e mazhorancës në Itali kanë rënë dakord për bazën e programit qeverisës, që parashikon mes të tjerash uljen e taksave, rritjen e shpenzimeve dhe kontrollin e emigracionit klandestin. Ndërkohë, liderët e Lëvizjes 5 Yjet dhe Ligës së Veriut kanë tërhequr projektin për referendumin për daljen nga euro, që do të ishte sfida më e madhe e BE-së që pas votimit të Britanisë për t’u larguar nga blloku. Në përfundim të takimit kokë më kokë me Matteo Salvinin, kreu i 5 Yjeve Luigi di Maio tha se palët duhet të vendosin për disa detaje të vogla dhe se pritet që programi të finalizohet së shpejti. Por dy partitë nuk kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët për emrin e kryeministrit. Di Maio tha se po punohet në këtë drejtim, ndërsa Salvini nënvizoi se as ai dhe as interlokutori politik nuk do të mbajnë postin e kreut të ekzekutivit. “Për mua do të kishte qenë nder të përfaqësoja Italinë, por numrat janë numra dhe po kërkojmë personin më të përshtatshëm për të drejtuar qeverinë”, tha Salvini. Por kreu i radikalëve shtoi se, nëse çështja nuk zgjidhet deri të hënën, atëherë stafeta për tejkalimin e ngërçit politik që daton prej zgjedhjeve të 4 marsit do t’i kalojë sërish presidentit Mattarella. Ndërkohë, një burim nga 5 Yjet i afërt me negociatat ka konfirmuar se në kontratën dypalëshe nuk ka asnjë referim për daljen eventuale nga euro, apo ndonjë veprim tjetër që mund të vërë në dyshim të ardhmen e Italisë në Eurozonë. /abcnews.al