Në një kohë kur ngërçi vazhdon, liderët politikë në Itali i janë përgjigjur Brukselit duke thënë se janë gati t’i shpallin luftë BE-së. Salvini dhe Di Maio kundërshtojnë rregullat buxhetore të Unionit, që i kufizon qeverisë së ardhshme të Italisë shpenzimet publike.
Partia e ekstremit të djathtë në Itali, Liga e Veriut, ka deklaruar të martën se është gati t’i shpallë luftë Bashkimit Europian dhe rregullave buxhetore të tij. “Ne duhet të flasim me një zë të vetëm dhe t’i themi BE-së, të cilit i paguajmë miliarda euro çdo vit, se për ne italianët vijnë të parët”, ka deklaruar përfaqësuesi i Ligës, Claudio Borghi. Radikalët kundërshtojnë kufizimet financiare të Unionit, që nëse zbatohen me përpikmëri i pamundësojnë Ligës përmbushjen e premtimeve elektorale për rritjen e shpenzimeve publike.
“Më parë duhet të përfundojmë gjërat që duhen bërë dhe vetëm më pas mund të shqetësohemi për rregullat absurde që janë shkruar shumë vite më parë, kur bota ishte tërësisht ndryshe”, ka vijuar Borghi. Liga e Veriut ka mbajtur të enjten ditën e gjashtë të bisedimeve me lëvizjen anti-estabilishment 5 Yjet. lideri i kësaj të fundit, Luigi di Maio ka deklaruar se axhenda politike që partia e tij po negocion me Legën thuajse është përmbushur.
“Kontrata jonë thuajse është nënshkruar. Tani është momenti të gjejmë kurajën të shohim përpara”, ka thënë Di Maio. Ai ka mbështetur deklaratat e liderit të Ligës, Matteo Salvini se rregullat buxhetore të BE-së duhet të ndryshojnë, në mënyrë që Italisë t’i lejohet të shpenzojë më shumë. Sidoqoftë, kjo sipas Di Maios duhet bërë duke negociuar me partnerët e Italisë. /abcnews.al