Dy shtetas shqiptarë në pranga, 1.7 ton marijuanë e sekuestruar dhe një gomone e modifikuar me dy motorë të fuqishëm, janë bilanci i një operacioni të Guardia di Finanza në Itali. Operacioni u bë në orët e para të mëngjesit të së shtunës në zonën e Viestes pas një ndjekjeje në det.
Ndjekje në det si në filma. Protagonist një helikopter i Guardia di Finanza dhe një gomone me super motor i korrierëve të drogës që vinte nga Shqipëria. Bilanci përfundimtar janë 1.7 ton marijuanë e sekuestruar së bashku me gomonen dhe dy shtetas shqiptarë të arrestuar.
Në deklaratën e saj për media policia e shtetit ka konfirmuar se gomonia është sinjalizuar fillimisht nga policia kroate si e dyshuar në dalje nga ujërat e tyre territoriale.
Qendra Kombetare e Koordinimit kroate të premten rreth orës 22:30 ka njoftuar palën italiane për një mjet të dyshimtë në dalje nga ujërat kroate. Gomonia është pikasur nga Guardia di Finanza në zonën e Viestes në të njejtin drejtim të ujrave kroate. Në bordin e mjetit jane kapur 2 shtetas shqiptarë, A.L. 38 vjeç dhe A.A 36 vjeç, si dhe u sekuestrua rreth 1.700 kg kanabis. Mjeti detar sipas hetimeve te deritanishme, nga policitë e vendeve partnere, nuk është nisur nga brigjet shqiptare.
Pikërisht në momentin që gomonia e modifikuar me dy motorë të fuqishëm mbërriti në bregun Italian pranë Viestes, helikopteri i financës e kapi duke nisur kështu një ndjekje në det.Më pas gomonia u rrethua dhe nga motoskafët e rojeve bregdetare italiane duke bërë që dy shqiptarët më në fund të dorëzoheshin. Pas një kontrolli të shpejtë në bord u gjet dhe ngarkesa prej 1.7 ton marijuanë./abcnews.al