Itali, krijohet qeveria/ Conte kryeministër, Salvini e Di Maio zëvendës

schedule21:17 - 31 Maj, 2018

schedule 21:17 - 31 Maj, 2018

Dy liderët politikë në Itali, Matteo Salvini dhe Luigi di Maio kanë arritur të enjten një marrëveshje që rikthen në jetë koalicionin e tyre qeverisës dhe shmang zgjedhjet e parakohshme. Në një komunikim me mediat, Di Maio dhe Salvini kanë deklaruar se janë plotësuar të gjitha kushtet që Lëvizja 5 Yjet dhe Liga e Veriut të nisin nga puna. Profesori i juridikut, Giuseppe Conte mbetet zgjedhja e palëve për kryeministër, ndërsa Giovanni Tria do të mbajë postin e ministrit të Ekonomisë. Tria, një profesor jo shumë i njohur ekonomie, zëvendëson figurën e kontestuar të Paolo Savonës, i refuzuar nga presidenti Mattarella për shkak të euro-skepticizmit ekstrem. Vetë Salvini dhe Di Maio do të mbajnë përkatësisht postet e ministrit të Brendshëm dhe të Punës, si dhe do të jenë zëvendësit e zotit Conte. Shmangia e zgjedhjeve të parakohshme në vendin që konsiderohet ekonomia e tretë e eurozonës ka qetësuar tregjet financiare, pas luhatjeve të ditëve të fundit. /abcnews.al