Dy partitë fituese të zgjedhjeve në Itali i kanë dorëzuar emrin e propozuar për kryeministër Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella. Në një deklaratë pas takimit me kreun e shtetit, kryetari i Lëvizjes 5 Yjet, Luigi di Maio ka thënë se Italia ndodhet përpara një momenti historik.
Ai ka shprehur bindjen se personi i propozuar për drejtimin e qeverisë, Giuseppe Conte, do të jetë në gjendje të çojë përpara programin. Di Maio ka theksuar se programi përmban kriteret e kërkuara nga partia e tij, mes të cilave të ardhurat familjare, shëndetësia, arsimi dhe rritja e shpenzimeve.
Në të njëjtat linja, kryetari i Ligës së Veriut, Matteo Salvini ka deklaruar se pas dorëzimit të emrit të kryeministrit tek presidenti pret që qeveria e re të nisë sa më shpejt nga puna. Ai ka thënë se, ekzekutivi i ri do të ketë në fokus interesin kombëtar, duke respektuar të gjitha normativat dhe detyrimet, me qëllim zhvillimin e ekonomisë së vendit.
“Mezi presim të fillojmë nga puna”, ka thënë Salvini./abcnews.al