Itali, dritë në fund të tunelit/Di Maio e Salvini përafrojne qëndrimet

schedule19:07 - 19 Prill, 2018

schedule 19:07 - 19 Prill, 2018

Ngërçi politik që ka përfshirë Italinë që prej zgjedhjeve të 4 marsit ka shanse të zhbllokohet së shpejti. Liderët politikë të dalë fitues nga procesi elektoral, Di Maio dhe Salvini kanë rënë dakord për një program të përbashkët qeverisës.

Liderët politikë të Italisë, Luigi di Maio dhe Matteo Salvini duket se po gjejnë gradualisht gjuhën e përbashkët për t’i dhënë fund ngërçit post-zgjedhor që ka përfshirë vendin. Sipas raportimeve të mediave italiane, kreu i Lëvizjes 5 Yjet dhe ai i Ligës së Veriut kanë rënë dakord për hartimin e një programi të përbashkët qeverisës. Programi në fjalë pritet të jetë në fokus të takimit të parë kokë më kokë që dy fituesit e zgjedhjeve të marsit do të zhvillojnë së shpejti, ku fillimisht do të anashkalohet përbërja e koalicionit. Nisma, bën të ditur agjencia e lajmeve “ANSA”, mund të gjejë mbështetjen e partisë Forza Italia e ish-kryeministrit Berlusconi, i cili megjithatë insiston për një aleancë të bazuar në një kontratë me çështje të caktuara qartë. Në kuadër të progamit të përbashkët, në radhët e qeverisë mund të futen figura teknike të planit të parë; ndërsa sa i takon kryesimit të koalicionit, burime nga Liga e Veriut kanë deklaruar se lideri Matteo Salvini është gati të bëjë një hap pas për të hapur rrugë. Të enjten, nga pallati Justiniani, Salvini bashkë me aleatët e tij Berlusconi dhe Giorgia Meloni u shprehën optimistë se politika kontradiktore që ka ekzistuar deri më sot në Itali mund të marrë fund së shpejti. “Jemi besimplotë se Lëvizja 5 Yjet do t’i tejkalojë përplasjet e brendshme dhe do të ulet në tryezë për të diskutuar për programin dhe jo për postet”, deklaroi Salvini. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!