Itali, Conte kërcënon me dorëheqje

schedule22:34 - 3 Qershor, 2019

schedule 22:34 - 3 Qershor, 2019

Kryeministri i Italisë, Xhuzepe Konte paralajmëroi të hënën me dorëheqje për shkak të përplasjeve mes partnerëve të koalicionit qeverisës, Mateo Salvini dhe Luixhi di Maio. Konte u ka bërë thirrje dy zëvendësve të tij që ose të zgjidhin mosmarrëveshjet, ose të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri i Italisë, Xhuzepe Konte ka kërcënuar të hënën me dorëheqje, duke u thënë dy partnerëve të koalicionit që t’i japin fund përplasjeve, ose të shkojnë në zgjedhje të reja. Konte, një akademik pa eksperiencë politike, thirri një konferencë shtypi për të bërë ultimatumin e tij, pas kontesteve të vazhdueshme mes populistëve të ekstremit të djathtë dhe ligjvënësve anti-sistem. “Nëse ata nuk marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, atëherë do të jap dorëheqjen”, deklaroi Konte, duke iu referuar liderit të Ligës së Veriut Mateo Salvini dhe atij të Lëvizjes 5 Yjet, Luixhi di Maio. Nga ana e tyre, dy zëvendës kryeministrat disa herë kanë bërë deklarata ku riafirmojnë angazhimin ndaj qeverisë dhe mohojnë që trazirat politike të jenë përgjegjësi e tyre. Por dy partitë janë në përplasje e sipër për një seri çështjesh, që nga projektet madhore në infrastrukturë dhe emigracioni deri tek domethënia historike e ditëve të pushimit, si dhe për përgjegjësinë e një incidenti detar të ndodhur fundjavën e kaluar në Venecia. Përplasja mes tyre është intensifikuar që nga zgjedhjet euro-parlamentare të muajit të kaluar, në të cilat Liga e Veriut mori 34 për qind të votave, duke lënë pas ndjeshëm Lëvizjen 5 Yjet dhe duke bërë që të rriten spekulimet se Salvini mund të prishë koalicionin qeverisës me partnerin e tij. /ABC News Albania 24/7