Itali, bisedime zyrtare për formimin e qeverisë

schedule18:40 - 4 Prill, 2018

schedule 18:40 - 4 Prill, 2018

Në Itali po zhvillohen bisedimet zyrtare për krijimin e koalicionit qeverisës, me presidentin Mattarella që po përpiqet të bindë rivalët që pretendojnë fitoren në zgjedhjet e 5 majit të arrijnë një marrëveshje.

Në Itali kanë nisur bisedimet formale për formimin e qeverisë, me Lëvizjen 5 Yjet që u ka propozuar dy partive rivale krijimin e një koalicioni të stilit gjerman. Rezultati i zgjedhjeve të 4 marsit ka detyruar presidentin e vendit Sergio Mattarella të marrë me të mirë dy rivalët e betuar për të arritur një marrëveshje koalicioni. Procesi mund të kërkojë javë dhe sërish mund të përfundojë me një ngërç, që mund të çojë në mbajtjen e një procesi tjetër zgjedhor, duke zgjatur njëkohësisht destabilitetin në ekonominë e tretë të Eurozonës. Në zgjedhje, aleanca e qendrës së djathtë, ku bëjnë pjesë ekstremistët e Ligës së Veriut dhe Forca Italia e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, fitoi më shumë vota; Lëvizja 5 Yjet siguroi më shumë vota e vetme, ndërsa të majtët e Partisë Demokratike u renditën të tretët. Por në këto kushte, asnjë grupim nuk është në gjendje të formojë koalicionin i vetëm. Kandidati për kryeministër nga 5 Yjet, Luigi Di Maio i ka bërë oferta si lidershipit të majtë, ashtu edhe liderit të Ligës së Veriut Matteo Salvini, por të dyve me kushte të serta. Deri tani, Partia Demokratike, ende e influencuar nga ish-kryeministri Matteo Renzi, i ka mbyllur dyert duke deklaruar se do të qëndrojë në opozitë, ndërsa Salvini ka refuzuar të prishë marrëveshjen me aleatët e qendrës së djathtë. “Liga e Veriut duhet të zgjedhë në cilin krah do të rreshtohet; nëse do të ndihmojë 5 Yjet të ndryshojnë vendin, apo nëse do të mbetet e lidhur me të kaluarën dhe Silvio Berlusconin, njeriun që e kishte një shans për ta ndryshuar Italinë por nuk e bëri”, ka thënë Di Maio në një postim në rrjetet sociale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!