Itali, arrestohet kryebashkiaku pro emigrantëve

schedule23:05 - 2 Tetor, 2018

schedule 23:05 - 2 Tetor, 2018

Policia italiane ka vënë në pranga kryetarin e bashkisë së një qyteze, i njohur në mbarë botën për pranimin dhe integrimin e emigrantëve. Mijëra zëra kanë dalë në mbështetje të Domeniko Lukano, mes të cilëve gazetari i njohur Roberto Saviano dhe aktori Bepe Fiorelo, që kanë kritikuar qeverinë populiste.

Kryetari i bashkisë së një qyteze në jug të Italisë, i njohur për pranimin e emigrantëve, është vënë në pranga të martën nga policia. Domeniko Lukano, kryetar i lokalitetit Riaçe është arrestuar nën akuzën se ka favorizuar emigracionin klandestin.

Lukano akuzohej edhe për abuzim me fondet publike, por kjo akuzë u hodh poshtë nga një prokuror. Arrestimi vjen në një kohë kur qeveria italiane e dalë nga zgjedhjet e 4 marsit ka shtrënguar masat kundër emigrantëve.

Kryebashkiaku, i njohur shkurt me emrin Mimo, pushtoi faqet e para të mediave në mbarë botën pasi i dha jetë një programi për pritjen e emigrantëve në zonat e shpopulluara të Kalabrisë, duke i strehuar në shtëpi të braktisura dhe duke i trajnuar për punë.

Programi nisi në vitin 1998 dhe që atëherë, disa qindra emigrantë kanë nisur jetesën në qytezën me rreth 2 mijë banorë. Suksesi i projektit bëri që ai të etiketohej si modeli më i mirë i integrimit dhe revista “Fortune” e renditi kryebashkiakun Lukano në listën e 50 liderëve më të mirë në botë në vitin 2016.

Ai u arrestua nga agjentët e Guardia di Finanza në kuadër të një hetimi mbi favorizimin e emigracionit klandestin dhe më vonë gjykata vendosi ndaj tij masën e arrestit shtëpiak. Të shumta kanë qenë reagimet në mbështetje të tij. gazetari i njohur Roberto Saviano u bëri thirrje qytetarëve për mosbindje civile ndaj qeverisë populiste. Ndërsa aktori Bepe Fiorelo u shpreh: “Kur qenka kështu, ejani na arrestoni të gjithëve”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!