Isli Hidi, përmes faqes zyrtare të klubit të Bylisit, ka sqaruar se nuk ka asnjë problem me klubin e tij. Raportohet se portieri nuk kishte shkuar në stërvitje dhe kjo lidhej me problemet financiare të klubit ballshiot, por vetë Hidi hedh poshtë gjithçka.
“Jam habitur me lajmin që kam lexuar sot te “Panorama Sport” dhe jam i befasuar, sepse askush nuk më ka kontaktuar dhe nuk mund të thuhen të pavërteta me emrin tim. Unë jam në Tiranë për arsye familjare. Të hënën do të jem në Ballsh, sepse kam lejen e klubit.
Nuk kam probleme financiare, unë e kam mik presidentin Besnik Kapllanaj dhe nuk është e vërtetë që unë të kem hatërmbetje. Kështu që nuk është aspak e vërtetë që unë dhe Bylisi të kemi mosmarrëveshje. Jam duke u stërvitur dhe falënderoj edhe trajnerin e portierëve, Arber Sino, që në çdo kohë më jep programe në mënyrë që të jem në formë, e madje jam në kontakte me presidentin Kapllanaj thuajse çdo ditë, ashtu edhe me trajnerin Dovedan.
Isli Hidi në Ballsh ka shkuar si mik, gëzoj respekt që e kam ndërtuar me djersën time dhe do të jem aty të luaj dhe të jap më të mirën për ekipin. Kështu që para se të flasin të pavërteta për marrëdhëniet e mia me Bylisin, bëjnë mirë të mirëinformohen, në mënyrë që opinioni të marrë të vërteta dhe jo hamendësime”. /abcnews.al