Personi i akuzuar si grabitësi më i madh i monedhës virtuale Bitcoin në Islandë, është arratisur nga burgu ku mbahej i mbyllur dhe për t’u shpëtuar autoriteteve është larguar nga vendi me avionin e kryeministres.
Një person i dyshuar si truri i vjedhjes së 600 kompjuterëve, të dhënat e të cilëve u përdorën më pas për të dëmtuar valutat virtuale, është arratisur nga burgu ku vuante dënimin, në Islandë. Sindri Thor Stefansson u arratis nga një burg i sigurisë së ulët, përmes një dritareje. Por ajo që e bën më interesante bëmën e tij është largimi drejt Suedisë me një avion pasagjerësh ku po udhëtonte edhe kryeministrja e Islandës. Sipas mediave nordike, ai përdori pasaportën e një personi tjetër për të kaluar kufirin, por u identifikua më vonë përmes filmimeve të kamerave të sigurisë.
Kompjuterët e vjedhur nga Stefansson, të cilët nuk janë gjetur ende, përmbajnë materiale me vlerë rreth 2 milionë dollarë. Ai ishte mes 11 personave të tjerë të arrestuar në shkurt për përfshirje në vjedhjen e madhe, e etiketuar nga mediat lokale si “Vjedhja e madhe e Bitcoin”.
Kompjuterët u vodhën në 4 bastisje në disa qendra për mbledhjen e të dhënave në Islandë, vend mjaft popullor për qendra të tilla për faktin se rreth 100 për qind e energjisë elektrike që gjenerohet në vend vjen nga burime alternative. 10 ditë përpara se të arratisej, Stefansson ishte transferuar në burgun Sogon, një burg i hapur në jugun rural të Islandës, rreth 95 kilometra larg aeroportit ndërkombëtar Keflavik.
Në avionin ku ai hipi ndodhej kryeministrja Katrin Jakobsdottir, e cila po udhëtonte drejt Suedisë për të marrë pjesë në një samit mes liderëve të vendeve nordike dhe kryeministrit të Indisë, Narendra Modi. Ajo nuk e ka komentuar arratinë e të dënuarit, për të cilin është lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar. /abcnews.al