Islanda harron koronavirusin, i kthehet normalitetit

schedule22:48 - 18 Qershor, 2020

schedule 22:48 - 18 Qershor, 2020

Islanda është vendi që duket se koronavirusi nuk ka ekzistuar kurrë. Nëse dikush ka vizituar Islandën në këtë periudhë e ka vënë re se baret dhe restorantet kanë qenë plotë dhe njerëzit në të gjithë këtë periudhë ku pjesa më e madhe e botës ka qenë në izolim kanë shijuar jetën.

Mediat e huaja bëjnë me dije se bëhet fjalë për një perspektivë marramendëse, ku për personat që vijnë nga vende që janë akoma në izolim për shkak të koronavirusit, normaliteti i pastër i të ngrënit të drekës në një restorant të mrekullueshëm në Reykjavik është pothuajse aq emocionues sa të qenit mbi humnerën e bubullimave të ujëvara të fuqishme të Gullfoss-it të Islandës.

Islanda ka qenë pjesë e listës së vendeve të përhapjes së infeksionit të Covid 19 por duket se ndikimi i tij nuk ka qenë shumë i lartë. Falë një regjimi të rreptë të gjurmimit dhe gjetjes së rasteve, ai pak a shumë është eliminuar, duke i dhënë vendit besim të rihapë kufijtë më 15 qershor.

Kështu që, dy ditë më vonë, më 17 qershor, Islanda festoi ditën e saj të përvitshme kombëtare me zellin e saj të zakonshëm, vendasit duke dalë në masë në rrugët e kryeqytetit.

Gjatë kësaj feste islandezët kanë lënë mënjanë çdo masë mbrojtëse përsa i përket koronavirusit. Gjithashtu bëhet me dije se të gjithë vizitorët që do të hyjnë në Islandë do të zhvillojnë testin e koronavirusit dhe nëse do të rezultojnë pozitivë, atëherë do të detyrohen që të zhvillojnë një karantinë 14 ditore, ndërsa nëse janë negativë vizitorët janë të lirë të shijojnë Islandën pa kufizime./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!