Pritshmëritë ishin të larta, mirëpo nuk ia dolëm të realizonim ëndrrën e një populli të tërë. “Të Kaltërit” e Italisë kanë treguar se meritojnë të jenë sërish kampionë të Evropës, teksa në sfidën e parë të rrugëtimit, në Euro 2024 kanë mundur në “Signal Iduna Park”, “Legjionarët” e Shqipërisë, me rezultatin e ngushtë, 2 me 1.
Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, një koment të shkurtër për mediat e bëri edhe autori i golit të parë, të djemve, të Luciano Spalletti, Alessandro Bastoni, i cili analizoi takimin kundër Kombëtares së Shqipëris e më tej u ndal dhe te shoku i tij i skuadrës, tek Inter, Kristjan Asllani.
“Ishte shumë e rëndësishme si fitore, pasi e nisëm ndeshjen shumë keq. Më keq se aq nuk mund ta fillonim. Gjithsesi, ne u treguam të zotët që reaguam menjëherë duke e vendosur ndeshjen në binarët e duhur.
Goli i pësuar? Nuk mendova asgjë, ndodhin momente të tilla në futboll. Rëndësi ka të reagosh dhe të marrësh kontrollin e ndeshjes. Mund të shënonim gola të tjerë, por e pamë se çfarë ndodhi në fund… Duhet të jemi më cinikë në takimet e ardhshme.
Shumë interistë në fushë, si ishte ta shihnit Asllanin në krahun tjetër? Shumë bukur, por në fushë nuk shihet askush në fytyrë. Në fund u përshëndetëm me Kristjanin”,- u shpreh qendërmbrojtësi italian. /i.m /abcnews.al