“Kuqezinjtë” tanë nuk ia dolën të siguronin qoftë edhe një pikë, në sfidën e parë, të këtij edicionit, të Kampionatit Evropian të futbollit, teksa në “Signal Iduna Park”, të Dortmundit u mund me rezultatin e ngushtë, 2 me 1, nga “Të Kaltërit” e Italisë, mirëpo zhvilluan një lojë fantastike, duke rivalizuar jo pak kampionët në fuqi të Evropës.
Përveç mediave shqiptare, pas ndeshjes, tekniku Sylvinho dha edhe një prononcim të shkurtër për prestigjiozen “Sky Sport”, nga ku u shpreh se e përballja me mesfushën italian ishte jashtëzakonisht e vështirë, teksa më tej tregoi edhe çfarë nuk shkoi siç duhet me djemtë e tij, përballë kampionëve të Evropës.
“Ishim disi nervozë në lidhje me debutimin. Nuk ishte e lehtë, pasi është vetëm Evropiani i dytë për ne dhe jemi një skuadër e re. Nuk i bëmë dëm Italisë, nuk e vendosëm nën presion. Ishte e vështirë të mbanim nën kontroll mesfushorë si Barella dhe Jorginho.
Gjithsesi, ne mbetëm në lojë dhe rrezikuam të barazonim në fund më Manajn. Nuk ishte një ndeshje e lehtë, u përballëm kundër një ekipi të madh. Menduam të qëndronim ‘gjallë’ deri në fund, por ishte shumë e vështirë t’ia hiqnim qarkullimin e topit Italisë.
Zëvendësimet? Mund të kisha shtuar një mesfushor tjetër, por gjithsesi do të ishim tërhequr në mbrojtje. Ishte shumë e vështirë për ne të riniseshim dhe të dilnim në kundërsulme, u kthyem shumë në mbrojtje. Të gjithë ata që u futën nga pankina bënë shumë mirë”,- u shpreh tekniku i “Legjionarëve”. /i.m /abcnews.al