“Ishim gjithmonë 4 veta, BMW e drejtonte ai,” sot i sekuestruan 5 mln euro, si e fundosi me dëshminë e tij Dumani-Gent Sharrën

schedule16:39 - 10 Qershor, 2022

schedule 16:39 - 10 Qershor, 2022

Paraditen e së premtes janë sekuestruar 5 milion euro pasuri të Gentian Sharrës dhe babait të tij Mustafa Sharra pas të dhënave se bëhet fjalë për para të fituara përmes aktivitetit të paligjshëm.

Me vendim të Gjykatës së Elbasanit, Sharrës iu sekuestrua një vilë në fshatin Katund i Ri, truall gati për ndërtim si edhe një sipërfaqe  e madhe toke.

E ndërsa hetimet për operacionin “Golden Bullet” vijojnë, duket se Sharrën e ka “fundosur” dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani. Në rrëfimin e tij, Dumani përmend emrin e Sharrës në të paktën dy ngjarje kriminale në të cilat duket se ai ka qenë i përfshirë.

Ndër të tjera, në rrëfimin e tij Dumani tregon sesi pasi bënë një grabitje në Kavajë, ai dhe Talo Çela u larguan nga vendi i ngjarjes dhe u futën nëpër disa fshatra që të lidhin me Tiranën dhe aty i priste me një BMË, Gent Sharra. Më tej ai tregon po ashtu se organizime të tilla i bënin gjithmonë katër veta, ai, Gent Sharra, Talo Çela dhe Ilir Feçi.

RRËFIMI

“Grabitja e 2 ka qenë po me të njëjtët persona në Kavajë në vitin 2011. Ishte një kambist në dalje të Kavajës. Ishte i moshës 60 vjeç, e njihte Ilir Feçe, ky na orientonte. Grabitjen e kam bërë unë me Talo Çelën. Ky person zbriste diku rreth orës 06:00 – 06:30, e kisha ruajtur së bashku me Ilirin. E kam ruajtur diku 2 ose 3 ditë bashkë me Ilirin. Diku afër në autostradë Ilir Feçe kishte shtëpinë përballë mobileri Simaku në krahun e Kavajës. Ishte baza ku ne takoheshim dhe linim makinat e tyre. Në këtë banesë linim dhe armët dhe makinat e vjedhura. Shtëpinë e kishte halla e Ilir Feçit e cila jetonte në Itali. Kemi dal atë ditë me audi 80 benzinë ngjyrë gri i vjedhur, këtë makinë e kishte vjedhur Talo Çela ai na e solli. Shofer ishte Ilir Feçi, në vend të parë ishte Talo Çela dhe mbrapa isha unë.

Ishim me qafore dhe kapele sepse s’kishte kamera. Kemi zbrit unë me Talon i pari pasi jemi afru tek pallati 5 katësh. Talo është futur sa zbret shkallën unë isha përballë, Talo e goditi me levë në fytyrë, i ra 2 ose 3 here dhe u rrezua në tokë, unë kisha detyrë vetëm të merrja çantën, u mundova ta merrja çantën por se lëshonte, këto më kishin dhënë një thikë hidrauliku dhe u mundova ta prisja rripin e çantës dhe e preva dhe të dora, në këtë moment ai e lëshon çantën dhe largohemi me Talon drejt audit. Futemi tek një rrugë tek fshatrat e Kavajës që lidhen me Tiranën. E lamë audin para një shtëpie jashtë Kavaje dhe na priste BMW e Ilir Feçit që e drejtonte Gent Sharra i cili kishte shkuar më parë aty. Kështu ishte plani. Organizimi ka qenë gjithmonë 4 veta unë, Gent Sharra, Talo Çela dhe Ilir Feçi. Kemi shkuar tek xhaja i Ilir Feçit në një fshat në Kavajë, ishte rruge e prishur nuk kisha qenë ndonjëherë. Kemi ndenjur tek shtëpia e xhajës se Ilirit deri në darkë. Më pas ikim në qytet. Ikim me pas tek shtëpia e hallës se Ilirit. Ishin 20.000 Euro, unë kam marrë 4.000 Euro, në prisnim diku tek 80.000 – 100.000 euro”.

Një nga rastet për të cilat tregon Nuredin Dumani në rrëfimin e tij është vjedhja me dhunë e Shqyri Shalës më 13 shkurt të 2012 në Kavajë. Vjedhja ka ndodhur në lagjen Lagjen Nr. 2 të qytetit të Kavajës ku Shala, kambist në Kavajë po shkonte në shtëpinë e tij në katin e tretë të një pallati dhe kur po parkonte automjetin pa dy persona që po afroheshin.

Njëri prej dy personave i ka drejtuar një pistoletë. Në këto rrethana Shyqyriu është kthyer dhe ka zbritur shkallët me qëllim që të largohej por dy personat (Dumani dhe Çela) e kanë goditur në kokë me levë. Më pas ata i morën çantën ku kishte rreth 4, 500, 000 lekë, si dhe telefonin celular tip Nokia dhe u larguan me vrap.

Çela e Dumani u ndoqën nga Shala deri në cepin e pallatit, por nuk ka mundur t’i kapë, pasi ata janë larguar.

Ndërkohë, duke u kthyer tek Gentian Sharra, emri i tij  u bë i njohur për drejtësinë dhe mediat në hetimet e grabitjes së Rinasit. Ai mori me qira asokohe servisin ku u modifikua furgoni që u përdor më pas për grabitjen në aeroport.

Servis “Genti”, i cili ndodhet në rrugën e vjetër Elbasan-Rrethrrotulimi i Bradasheshit, aty ku dyshohet se u modifikua enkas për grabitjen furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” është bllokuar asokohe nga policia si provë metariale. Mësohet se oficerët e policisë kanë sekuestruar prej andej kamerat e sigurisë, ndërkohë që pronari i servilit, Gentian Sharra, ka konfirmuar se servisin ia kishte dhënë me qira Eldi Çala. /abcnews.al/