Ish-ushtari i UÇK-së në Hagë: Jam i pafajshëm, nuk kam bërë asnjë krim

schedule15:47 - 19 Prill, 2021

schedule 15:47 - 19 Prill, 2021

Ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala është deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të.

Shala në seancën e kësaj të hëne në hagë është shprehur se nuk ka bërë asnjë krim.

“Nuk e ndjej veten se kam bërë një krim, përveç që e kam mbrojt atdheun dhe popullin tim dhe jam plotësisht i pafajshëm”, tha Shala.

Ndër të tjera ai i ka quajtur qesharake pikat e aktakuzës, të lexuara nga prokuroria. Shala akuzohet për krime lufte, ushtrim të dhunës fizike dhe psikike, trajtim çnjerëzor, gjatë vitit 1999 në Kukës, në një ish-fabrikë metali.

Shala është arrestuar më 16 mars nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill.

Në aktakuzën e konfirmuar Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!