Ish-sulmuesi i shquar kroat komenton duelin, Pejiç për ABC News: Le të fitojë më i miri, Kroacia në avantazh për shkak të përvojës

schedule14:25 - 19 Qershor, 2024

schedule 14:25 - 19 Qershor, 2024

Mbetet një nga legjendat e Superligës. Pero Pejiç nuk ka sesi të harrohet nga tifozët e disa ekipeve shqiptare si Kukësit, Flamurtarit, Tiranës apo Skënderbeut, si I huaji me më shumë gola në kampionatin tonë, ndërsa për Abc News ka komentuar duelin Kroaci-Shqipëri, me ish-sulmuesin 41-vjeçar, që nuk ka dëshiruar të marrë një anë.

“Po. Kjo është hera e parë në finalet e mëdha. Kjo është hera e dytë që Shqipëria është në turne të tillë, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Me shqiptarët kemi qenë gjithmonë në raporte shumë të mira. Pres një ndeshje të bukur, të fortë dhe burrërore. Le të fitojë më i miri”.

Kroacia besohet se ka avantazh për shkak të cilësisë së lojtarëve dhe përvojës.

“Natyrisht që Kroacia ka lojtarë mjaft të mirë si Modric, Livakovic, Brozovic, Kovacic, Petkovic. Gjithsesi, edhe Shqipëria ka lojtarë mjaft të fortë që luajnë në futbollin ndërkombëtar, në Spanjë, Itali, Gjermani. Ndeshja do të jetë vendimtare për të dyja palët, pasi duhet fitorja. Mendoj se Kroacia mund të ketë një avantazh të vogël, sepse kemi marrë pjesë shumë më tepër në ndeshje të një niveli të tillë. Gjithsesi, ndeshja do të jetë e hapur dhe e vështirë për të dyja skuadrat, aq më tepër që humbën në sfidat e para”.

Sa e ka ndjekur Shqipërinë dhe çfarë mendimi ka Pejiç për kuqezinjtë?

“Po, e pashë ndeshjen ndaj Italisë. Shqipëria e nisi shumë mirë ndeshjen dhe shënoi gol. Gjithsesi, Italia u kthye shpejt. Rezultati mbeti 2-1 deri në fund dhe pashë që Shqipëria pati një shans fenomenal për të barazuar, për fat të keq ishte diagonal dhe Donnarumma e devijoi topin. Gjithsesi, i tillë është futbolli. Italia ka përvojë dhe mendoj se ka ekip shumë të fortë. Rezultati ishte i mirë për Shqipërinë. Cilido ekip mund të kishte humbur ndaj Italisë, nuk është turp. Aq më tepër që nuk humbi 3-0, 4-0 apo 5-0. Shqpëria tregoi se ka cilësi në ekip”.

Duket se përveçse duel në fushë, do të jetë edhe duel në tribuna me prani të madhe të tifozëve.

“Padyshim që është. Në Gjermani ka shumë kroatë. Po ashtu, ndaj Italisë pashë shumë më tepër shqiptarë në stadium sesa italianë. Në Gjermani ka gjithashtu shumë shqiptarë, kështu që mendoj se atmosfera do të jetë e shkëlqyer. Po ashtu, me shqiptarët kemi raportë shumë të mira. Siç e thashë, pres një ndeshje siç duhet, të fortë dhe le të fitojë më i miri”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!