Ish-shefi i spiunazhit të Afrikës së Jugut ka akuzuar presidentin Cyril Ramaphosa për rrëmbim dhe ryshfet në një rast që ai e ka regjistruar në polici.
Arthur Fraser tha se rasti lidhej me tentativën e vjedhjes së pretenduar të 4 milion dollarëve (3.2 milion £) në vitin 2020 në një nga pronat e presidentit dhe përpjekjet e supozuara për të fshehur atë që ndodhi.
Lidhur me këtë akuzë presidenti Ramaphosa theksoi se nuk ka asnjë bazë për pretendimet për sjellje kriminale.
Fraser shihet nga disa si aleat i ish-presidentit Jacob Zuma.
Disa besojnë se akuzat mund të lidhen me grindjet brenda Kongresit Kombëtar Afrikan (ANC) në pushtet përpara një gare për udhëheqje në dhjetor.
Policia ka konfirmuar se tek ta është regjistruar një rast dhe se do të vijojnë proceset e rregullta, që përfshin hetimin fillestar.
Fraser, i cili drejtoi Agjencinë e Sigurisë Shtetërore të vendit (SSA) midis viteve 2016 dhe 2018, ka thënë se i ka dorëzuar policisë fotografi, detaje të llogarisë bankare dhe pamjet video.
Në një deklaratë, ai pretendoi se kriminelët hynë në një fermë në provincën Limpopo në shkurt 2020 për të vjedhur më shumë se 4 milion dollarë. Ata më pas u ndaluan dhe u morën në pyetje në pronë dhe u paguan për të mbajtur heshtje për atë që kishte ndodhur.
Në përgjigje, zyra e Ramaphosa konfirmoi se kishte një grabitje në fermën e tij në Limpopo në të cilën u vodhën të ardhurat nga shitja e gjahut.
Presidenti, i cili ishte jashtë vendit në atë kohë, e raportoi incidentin në njësinë e mbrojtjes presidenciale të policisë, thuhet në deklaratën nga zyra e tij.
Pas drejtimit të SSA, Fraser vazhdoi të drejtonte shërbimin e burgjeve të vendit. Shtatorin e kaluar, ai ishte përgjegjës për urdhërimin e lirimit me kusht të Zuma-s gati dy muaj pas dënimit të tij 15 muaj burg për shpërfillje të gjykatës – një vendim i cili u kritikua nga shumë afrikano-jugorë.
Ai është akuzuar gjithashtu se ka mundësuar korrupsion gjatë kohës që drejtonte SSA-në nga dëshmitarët në një hetim për korrupsionin në vend gjatë presidencës Zuma, i njohur si komisioni Zondo. Zoti Fraser ka akuzuar dëshmitarët se kanë gënjyer për të.
Ramaphosa u bë president në shkurt 2018 pasi Zuma dha dorëheqjen përballë akuzave të shumta për korrupsion, të cilat ai i mohoi. ANC mbetet e ndarë mes mbështetësve të dy burrave. Ajo do të zgjedhë më vonë këtë vit se kush do të jetë kandidati i saj presidencial për zgjedhjet e vitit 2024.
Presidenti e ka bërë luftën kundër korrupsionit një prioritet të qeverisë së tij. Por angazhimi i tij për këtë është vënë në pikëpyetje pasi keqpërdorimi i fondeve shtetërore, veçanërisht për paratë e destinuara për të luftuar Covid-19, ka vazhduar gjatë presidencës së tij.
Përpara se të bëhej zëvendëspresident në vitin 2014, Ramaphosa ishte një biznesmen i shquar me aksione në kompanitë e minierave, telekomit, mediave, pijeve dhe ushqimit të shpejtë.
Në vitin 2014, ai deklaroi në parlament se zotëronte 5 milionë dollarë aksione si dhe 30 shtëpi në qytet. Por besohet gjerësisht se pasuria e tij është më e madhe se kaq.
/Abcnews.al/