Ish-presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar se do të ketë ekip të ri ligjor në gjyqin kundër tij në Senat, pak para se të përfundojë afati për dorëzim të përgjigjes së tij ndaj padisë. Dy avokatë, të cilët do ta përfaqësojnë Trumpin, David Schoen, komentator televiziv i çështjeve ligjore dhe Bruce Castor, ish-avokat i distriktit të Pensilvanisë, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, pasi të gjithë pesë anëtarët e ekipit fillestar të ish-presidentit, është raportuar se kanë ndarë rrugët me Trumpin, për shkak të dallimeve në strategji.
David Schoen dhe Bruce Castor janë “avokatë gjyqi shumë të respektuar” me përvojë në fushatën penale dhe atë të mbrojtjes, bazuar në një deklaratë të Trumpit.
Gjyqi kundër Trumpit pritet të nisë më 9 shkurt.
Castor është përballur me kritika të ashpra për vendimin e tij për të mos dënuar Bill Cosbyn në rastin për krime seksuale, ndërkohë që Schoen ka përfaqësuar aleatin e Trumpit, Roger Stone dhe ka thënë se ka qenë në negociata me ekipin ligjor të financerit, Jeffrey Epstein më 2019, para se ai të kryente vetëvrasje në burg.
Epstein supozohej se ka trafikuar vajza të mitura për marrëdhënie seksuale.
Të dy avokatët kanë thënë të dielën se janë të nderuar që kanë marrë këtë pozitë në gjyqin ndaj Trumpit.
“Fuqia e kushtetutës tonë pritet të testohet sikurse kurrë më parë në histori. Është e fortë dhe e fuqishme. Një dokument që është shkruar për vite dhe i cili do të triumfojë kundrejt bazave partiake sërish dhe gjithmonë”, ka thënë Castor.
Gjyqi kundër ish-presidentit amerikan për “nxitje të kryengritjes” që ka të bëjë me sulmin ndaj Kongresit nga ana e mbështetësve të tij, ka nxitur mospajtime në mes besnikëve të Trumpit, që dominojnë Partinë Republikane, dhe krahut të moderuar.
Megjithatë, Trump pritet t’i ikë dënimit për shkak të mbështetjes së partisë së tij në Senat./Rel