Ish-presidenti i Katalonjës, Puigdemont, ka ndryshuar qëndrimin e tij dhe në një intervistë për të përditshmen belge Le Soir, pranon se ka qenë gjithnjë i hapur ndaj një marrëdhënieje tjetër me Spanjën dhe se ka një zgjidhje alternative ndaj pavarësisë.
Për Katalonjën ka një zgjidhje ndaj pavarësisë dhe është më se e mundshme. Deklarata vjen nga lideri pro pavarësisë Puigdemont në një intervistë për të përditshmen belge Le Soir. Puigdemont shprehet pro një marrëveshjeje me qeverinë spanjolle duke theksuar se ka 30 vjet që punon për të përfituar një lloj tjetër marrëdhënieje mes Katalonjës dhe Spanjës. Sipas tij, zgjidhja ka të bëjë me uljen në tryezën e negociatave. Europës ai i kërkon që të bëjë të njëjtën gjë që ka bërë me Poloninë dhe Hungarinë duke verifikuar nëse ka pasur abuzim ndaj të drejtave të njeriut në Katalonja. Puigdemont këmbëngul se qeveria spanjolle nuk ka respektuar të drejtat thelbësore duke shtuar se qeveria katalanase nuk ishte e përgatitur aq sa duhet për të aplikuar pavarësinë. Edhe ministrja katalanase në ekzil Clara Ponsati, ka qenë në të njëjtën linjë duke shtuar se qeveria katalanase nuk priste një reagim aq autoritar nga Madridi duke e krahasuar atë me një reagim lufte. Politikania katalanase pranoi se ishte ndjerë e frikësuar për integritetin e saj personal.
Sipas sondazheve të fundit në Spanjë, nga e përditshmja vendase El Pais, kriza katalanase dhe rritja e nacionalizmit spanjoll kanë ndikuar ndjeshëm në favor të Siudadanos, partisë së Albert Rivera i cili e ka kundërshtuar fort pavarësinë e rajonit. Nëse do të votohej sot sipas sondazheve, partia portokalli do të merrte 18,6% të votave duke u renditur në të njëjtin nivel mbështetjeje me PSOE-në. Partia e kryeministrit spanjoll do të qëndronte ende parti e parë me 26.9 përqimd të votave ndërsa Podemos shënon rëniem në 14.7 për qind./abcnews.al