Ish-presidenti i Katalonjës i gatshëm të takohet me Kryeministrin e Spanjës

schedule18:04 - 22 Dhjetor, 2017

schedule 18:04 - 22 Dhjetor, 2017

Ish-presidenti i Katalonjës, Karles Puxhdemon, ka ftuar në një takim jashtë Spanjës, shefin e qeverisë së Madridit, Mariano Rahoi. Por ky i fundit ka refuzuar ftesën duke thënë se do të takohet vetëm me përfaqësues të Partisë Qytetare që doli forcë e parë në zgjedhjet e parakohëshme rajonale në Katalonjë.

“Do të doja që Spanja të ndalonte marrjen e vendimeve në vendin tonë. Ka ardhur koha për të bërë politikë reale, formula e Rahoit ka dështuar dhe ka treguar se katalanasit janë kohezivë”. Këtë e ka thënë ish-presidenti i Katalonjës, Karles Puxhdemon në një konferencë për shtyp në Bruksel. Ai u shpreh i gatshëm të takohet me kryeministrin Mariano Rahoi për të filluar një rrugëtim të ri por pa perndjekje ligjore. Gjithashtu nënvizoi se ky takim duhet të ndodhë jashtë Spanjës. “Situata është paradoksale dhe qesharake”, shton Puxhdemon.

“Duhet respektuar rezultati i votimit. Të ardhmen e politikës në një shtet demokratik e vendosin gjithmonë zgjedhësit. Nuk mund të kemi zgjidhje nëse nuk respektohen zgjedhjet”, nënvizoi ish-lideri i Katalonjës.

Por kryeministri Mariano Rahoi nuk ka pranuar propozimin e Karles Puxhdemon për një takim në një vend tjetër europian, përveç Spanjës. I pyetur nga gazetarët, shefi i qeverisë së Madridit është përgjigjur: “Unë duhet të takohem me Ines Arrimadas, kreun e listës së Partisë Qytetare, që ka fituar zgjedhjet”. Kjo forcë politike doli forcë e parë në zgjedhjet e 21 dhjetorit, por partitë që mbështesin pavarësinë arritën të fitojnë mazhorancën absolute në parlamentin rajonal të Barcelonës.

Ndërkohë, gjykata e Lartë e Spanjës ka shpallur nën hetim për rebelim edhe disa drejtues të lartë të rajonit autonom, mes të cilëve ish-presidenti Arturo Mas dhe drejtuesen e “Partisë së Majtë Republikane”, Marta Rovira, “Partisë Demokratike Europiane të Katalonjës”, Marta Paskal dhe ajo e “Partisë Kandidatura e Unitetit Popullor”, Ana Gabriel. Për të njëjtin krim janë akuzuar zyrtarisht edhe Karles Puxhdemon dhe shumë anëtarë të qeverisë së tij si dhe kryetarja e parlamentit, Karme Forkadel. Këta të fundit rrezikojnë deri në 30 vite burg pasi ka zhvilluar projektin politik të pavarësisë së Katalonjës. Sipas të dhënave, 12% e parlamentit të ri është inkriminuar nga drejtësia spanjolle. Nga 17 deputetë të sapozgjedhur që akuzohen, 3 janë në burg në Madrid dhe 3 të tjerë janë në ekzil./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!