Ish-Presidenti gjeorgjian Saakashvili arrestohet nga policia ukrainase

schedule11:45 - 5 Dhjetor, 2017

schedule 11:45 - 5 Dhjetor, 2017

Është liruar nga mbështetësit e tij ish-presidenti i Gjeorgjisë, Saakashvili, i cili u arrestua paraditen e së martës nga policia ukrainase, kur kërcënonte të hidhej nga tarraca e banesës së tij. Avokati i tij thotë se akuzohej për grusht shteti në Ukrainë.

Ish-presidenti gjeorgjian, Mikheil Saakashvili, u arrestua nga policia ukrainase pas kontrollit të ushtruar në banesën e tij nga shërbimet sekrete. Ndërsa agjentët kontrollonin banesën e tij, Saakashvili hipi në tarracë duke kërcënuar se do të hidhej për të vrarë veten, por pas negociatave me agjentët pranoi të zbriste. Por pasi policia e prangosi dhe më pas e futi në furgon për ta çuar në qelitë e paraburgimit, mbështetësit e tij rrethuan furgonin dhe liruan liderin e tyre.

I lirë sërish, Saakashvili ka bërë apel që banorët e kryeqytetit ukrainas të mblidhen në sheshin kryesor të Kievit, zemrën e revoltës së 2014-s, për të protestuar në mënyrë paqësore kundër presidentit të Ukrainës Poroshenko. Ai u ka thënë mbështetësve të tij se nuk duhet as të kenë frikë dhe as të arratisen.

Më parë, avokati i tij ishte shprehur për mediat se policia ukrainase e kishte arrestuar pasi dyshonte se Saakashvili po përpiqej të organizonte një grusht shteti. Ndërsa agjentët e shërbimit sekret këmbëngulin se ish-presidenti gjeorgjian dyshohet se ka mbështetur anëtarë të organizatave kriminale dhe ka mbuluar aktivitetet e tyre të paligjshme./abcnews.al