I ftuar në studion e ABC News me gazetarin Endi Xhafo ishte ish-ministri i Arsimit dhe profesor Myqerem pafaj, i cili zhvilloi një bashkëbisedim në lidhje me zgjedhjet në Universitete që do të mbahen në datën 30 korrik.
Sipas tij këto zgjedhje nuk janë shoqëruar me një analizë të thellë dhe si të tilla ato janë thjesht formale dhe shpesh herë ato janë infektuar nga zgjedhjet politike.
“Universiteti është për studentët dhe ata duhen dëgjuar. Ç’mendojnë ata për këto 4 vjet të shkuara? Çfarë duan ata për 4 vitet që vijnë?
Universiteti i Tiranës ka 30 mijë studentë. Të jeni të sigurt që të paktën 15 mijë i ka jashtë Tiranës dhe Durrësit. Modeli që qëndron në fuqi është një model që e konsideron studentët me votë të fuqishme në zgjedhjen e Rektorit dhe Dekanit. Sikur të ishte një kohë e qetë, e mundur, studentët duhet të kërkonin në çdo fakultet takim me kandidatin dhe duhet ta bombardonin me pyetje, dhe nuk duhet të ishin takime të rastit por takime 3-4 orë.
Duhet ti kërkonin kandidatit në detaje se çfarë kishte ndërmend të bënte për studentët, kështu del vota e natyrshme. E njëjta gjë është edhe me pedagogët. Kandidatët duhet të shkojnë tek studentët, ata kandidojnë për studentët. Produkti i Universitetit është studenti, cilësia e formimit të studentit, cilësia e produktit dhe kërkimit shkencor.
Për këtë shkak unë do të kish sakrifikuar disa muaj vetëm se duhet të vinte një moment që të krijohej mundësia që studentët dhe pedagogët të bënin një analizë të thellë të problematikës dhe të diskutonin fort me kandidatin dhe të vendosnin për kandidatin.
Ligji ynë është liberal, mund të kandidojnë edhe ata që studiojnë jashtë, ligji e krijon këtë mundësi. Çdo studenti duhet ti krijohet mundësia që të dëgjohet gjë që fatkeqësisht aktualisht nuk e ka” u shpreh prof. Tafaj.
Por prof. Tafaj është i bindur se Universiteti i Tiranës është rasti tipik i dështimit të modelit dhe se pedagogët janë të shqetësuar, dhe nuk e duan këtë model që është krijuar.
Në shumicën e rasteve sipas tij në universitete nuk ka garë, aty ka joshje dhe presione pa personalitete me etikë akademike.
“Universiteti i Tiranës është rasti tipik i dështimit të modelit. Bëni një anketim, pyesni pedagogët, do të shihni që të gjithë duan ta zhdukin këtë model që është krijuar . Bëni një vlerësim sa shefa departamentesh, sa drejtues, dekanë, rektorë kanë nga dy? Në 70 % të rasteve ka nga një, pra nuk ka garë.
Zgjedhjet në Universitete janë infektuar nga zgjedhjet politike. Aty ka joshje, presione. Modeli kërkon personalitete me etikë akademike. Nëse studentët nuk do të mësojnë dhe nuk do të shohin që në Universitetin ku kanë mësuar që funksionon më mirë demokracia se sa në mesataren e shoqërisë atëherë për çfarë flasim?!”, deklaroi ish-ministri./abcnews.al