Vijojnë përgatitjet e samitit të Singaporit. Ish-kreu i shërbimeve sekrete të Koresë së Veriut do të jetë të mërkurën në SHBA për të biseduar lidhur me detajet e fundit të takimit mes Trump dhe Kim Jong-un.
Vijojnë përgatitjet për samitin mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Një nga funksionarët më të lartë të regjimit komunist, Kim Jong-chol është drejtuar për në SHBA për të përmbyllur detajet e takimit të shumëpritur. Sipas burimeve që kanë folur për agjencinë e lajmeve koreanojugore, Jonhap, zyrtari ka mbërritur në aeroportin e Pekinit dhe ka prenotuar një fluturim për në Amerikë, ku mund të takohet me sekretarin e shtetit, Mike Pompeo. Në javët e kaluara dy zyrtarët kanë biseduar në Phenian, gjatë vizitës së dytë të Pompeos në Korenë Komuniste.
Kim Jong-chol ka qenë për shumë vite shef i shërbimeve sekrete ushtarake të Koresë së Veriut dhe është një nga personat më kontraversë të regjimit, i akuzuar se qëndron prapa fundosjes së një anije të Seulit, ku humbën jetën 46 marinarë në 2010-n. Prania e tij në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike Dimërore në Pejongçan me 23 Shkurt, ngjalli shumë polemika. I njohur për sarkazmën e tij, gjenerali është sanksionuar më herët nga Uashingtoni dhe Koreja e Jugut.
Ndërkohë, në Singapor, ku samiti duhet të mbahet me 12 Qershor, ka mbërritur një tjetër funksionar i Phenianit, i cili do të merret me garantimin e detajeve të sigurisë. Ai do të takohet për të biseduar për këtë çështje me përfaqësues të delegacionit amerikan. Qëllimi i takimit mes Trump dhe Kim Jong-un është i qartë: çarmatosja bërthamore e gadishullit Korean. Megjithatë lideri i regjimit komunist nuk pranon që të heqë dorë pa iu garantuar qëndrimi në pushtet dhe largimi i rrezikut të pushtimit./abcnews.al