Aldo Bare, do të vijojë që të kalojë pjesën e mbetur të jetës në qeli.
Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e ish kreut të bandës së Lushnjës, për liri, duke lënë në fuqi vendimin e ish gjykatës së apelit për krime të rënda, e cila e dënoi atë me burgim të përjetshëm.
Kjo është hera e dytë që Bare, rrëzohet nga shkalla më e lartë e gjyqësorit.
Një vendim i gjykatës kushtetuese më 8 shkurt të vitit 2017, se Aldo Bares, i është cënuar e drejta për proces të rregullt ligjor dhe i është cënuar e drejta e mbrojtjes së të gjykuarit, i dha të drejtën atij që ta ridërgonte sërish dosjen në Gjykatën e Lartë.
Kush është Aldo Bare
Ish-speciali i forcave RENEA, Alfred Shkurti, ose i njohur ndryshe si Aldo Bare, hyri në botën e krimit në vitin 1997, pasi atij i vrau vëllanë banda e Artur Dajës, gjatë një përleshje me armë zjarri.
Pas vrasjes se Ramadan Shkurtit, në Lushnjë nisi të operonte banda e Aldo Bares së cilës Drejtësia i numëron më shumë se njëzet vrasje, dhjetëra plagosje dhe vënie gjobash.
Kaq mjaftoi që vrasjet më pas të lidheshin zinxhir dhe natyrisht Bare nuk ishte i vetëm në gjithë këtë betejë personale.
Sipas prokurorisë, ish-speciali kishte arritur të rekrutonte në bandën e drejtuar prej tij Ilir Stërgun, Afrim Hoxhën, Arben e Enver Boriçin, Enver Dondollakun, të gjithë shokë, miq e të afërm të “kokës” së grupit, Aldo Bare dhe vëllait të tij Ramadan Shkurti.
Më pas kësaj bande iu bashkuan edhe: Maksim Çela, Erion Cici, Dritan Vila, Leonard Prifti, dhe shumë të rinj të tjerë.
Me mbledhjen e këtyre “ushtarëve” përreth “kryetarit”, siç e quanin në biseda telefonike Aldo Baren, filluan edhe ekzekutimet në qytetin e Lushnjës ndaj Artur Dajës, shokëve, miqve e familjarëve të tij, teksa në kurriz të kësaj bande janë të paktën 20 vrasje, plagosje, rrëmbime dhe gjoba.
Ndryshe nga të gjitha bandat që vepronin në vitin 1997 në vend, banda e Lushnjes, që u drejtua nga Aldo Bare, arriti të krijonte një komisariat të vetin në qytet, atë që mbahet mend edhe si “Komisariati Nr. 2”.
Mbretërimi i tij në qytet zgjati për gati 10 vjet, deri në vitin 2006 ku u godit dhe koka e bandës, Aldo Bare i cili u arrestua në Maqedoninë e Veriut, ku më pas u ekstradua në Shqipëri me kërkesë të autoriteteve.
/abcnews.al.