5 nëntori shënon 5 vite nga arrestimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. Në këtë datë, Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së e quan sfidën e tyre një përballje me padrejtësinë, ndaj së cilës nuk duhet të dorëzohen.
“Sot bëhen 5 vite nga arrestimi i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pesë vite padrejtësi, pesë vite që heronjtë e lirisë mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan. Ne nuk harrojmë dhe nuk dorëzohemi përballë kësaj padrejtësie historike”, thuhet në reagim.
Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës kanë reaguar duke shkruar se “Kosova kërkon asgjë më pak se atë që u takon bijve të saj: Drejtësi, të vërtetën dhe liri për çlirimtarët!”
Më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës, pasi gjykatësi i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara e njoftoi se e ka konfirmuar aktakuzën ndaj tij dhe tre ish-bashkëluftëtarëve të tij.
“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës”, pati thënë Thaçi për gazetarët gjatë një konference për media të mbajtur në oborrin e Presidencës së Kosovës.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, më 5 nëntor bëri të ditur se kishte bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që vullnetarisht të udhëtonte drejt Hagës,
Jakup Krasniqi gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 4 nëntori i vitit 2020. Ai u paraqit para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor, dhe për dallim nga Thaçi dhe Veseli, përveç se u deklarua i pafajshëm për aktakuzën, ai mbajti edhe një fjalim.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe pengim të drejtësisë.
Aktualisht gjyqi është në fazën kur mbrojtja po prezanton dëshmitarët, mes të cilëve edhe gjenerali Wesley Clark dhe Christopher Hill.
/abcnews.al/

