Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Gjyqi ndaj ish-drejtuesve të UÇK/ Hagë, deklaratat përmbyllëse në fazën e fundit të gjyqit

schedule09:44 - 9 Shkurt, 2026

schedule 09:44 - 9 Shkurt, 2026

45 vite burg kërkon Prokuroria Speciale për secilin nga anëtarët e UÇK-së.

Në fjalën e saj të fundit, kryeprokurorja Kimberly West tha se Gjykata Speciale ka treguar sukses të madh përgjatë viteve të fundit, ndërsa vendosjen e drejtësisë e quajti rutinë të zakonshme brenda këtyre mureve.

“Prokuroria kërkon dënimin e personave konkretë, jo për Shtabin e Përgjithshëm, por për persona konkretë. Kërkon dënim për të gjitha pikat e aktakuzës, prej 45 vitesh, mbështetur në kontributet individuale, të kryera prej secilit prej personave. Këto krime janë lufte, krime kundër njerëzimit dhe janë të rënda në natyrë. Këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës. Mbeten shumë të rënda.”



Në Hagë kanë nisur kështu seancat përmbyllëse të procesit më të madh gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është në hapin e fundit, përpara marrjes së vendimit të trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës, për dosjen me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, e cila ka afat deri në tre muaj pas mbylljes së seancave përfundimtare për të marrë një vendim.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat, ndërsa fjalën e tyre përfundimtare pritet ta mbajnë në seancën përmbyllëse të 18 shkurtit.

Të katërt ndodhen në paraburgim, në një proces të shoqëruar me shumë dritëhije që prej vitit 2020.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur 125 dëshmitarë, ndërsa 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë e tyre me shkrim. Mbrojtja e nisi sagën e saj në shtator të vitit 2025 me emra të rëndësishëm të politikës ndërkombëtare, si James Rubin, ish-ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Christopher Hill, apo ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark.

Të gjithë deklaruan se UÇK-ja nuk ishte organizatë terroriste, se roli i Thaçit ishte politik dhe se pjesëtarët e saj luftuan për lirinë e Kosovës.

Ky proces vendos kështu në sytë e drejtësisë ndërkombëtare edhe të drejtën e një populli për të mbrojtur lirinë përballë agresorëve të huaj.

/ abcnews.al /

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!