Një ish-gjeneral i ushtrisë afgane ka thënë se ai dhe disa ish-ushtarë e politikanë, janë duke u përgatitur për të nisur luftë të re kundër talibanëve në Afganistan.
Gjenerali Sami Sadat ka thënë për transmetuesin britanik BBC se tetë muaj të udhëheqësisë së talibanëve kanë bindur shumë afganë se aksionet ushtarake janë zgjidhja e vetme përpara.
Ai ka thënë se operacionet mund të nisin muajin tjetër pas festës së Bajramit, kur edhe planifikon që të kthehet në Afganistan.
Talibanët kanë marrë kontrollin e shtetit për herë të dytë pas një ofensive të shpejtë në gusht të vitit të kaluar.
Herën e parë ata kanë qenë në pushtet në fund të viteve 1990.
Islamistët e linjës së ashpër kanë kryer sulme intensive për vetëm 10 ditë, teksa forcat e NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, i kanë dhënë fund fushatës ushtarake në këtë shtet.
Duke folur për herë të parë për planet, Sadat ka thënë se ai dhe të tjerët “do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’u siguruar që Afganistani është i lirë nga talibanët dhe që rikthehet sistemi ynë demokratik”.
“Derisa të fitojmë lirinë ne do të vazhdojmë të luftojmë”, ka thënë ai, duke refuzuar që të japë afate kohore.
Gjenerali ka përmendur se si talibanët janë duke zbatuar regjim të ashpër – duke përfshirë kufizime të ashpra ndaj të drejtave të grave dhe vajzave – dhe se është koha që të ndalet urdhri i tyre autoritar dhe të fillojë një kapitull i ri.
“Çfarë shohim në Afganistan në tetë muaj të regjimit të talibanëve kanë qenë vetëm kufizime, keqinterpretime dhe keqpërdorim të Kuranit të shenjtë për qëllime politike”.
Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.
Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara./REL