Gjykata Speciale nuk është dashur të themelohej, andaj është mirë që po protestohet, thotë ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, pak orë para se në Prishtinë të mblidhen veteranë e qytetarë të tjerë për të shprehur kundërshtimet e tyre për mënyrën se si po punojnë Dhomat e Specializuara në Hagë. Në një intervistë për KosovaPress, nga Haga, Bosch thekson se protesta duhet të jetë e qetë dhe dinjitoze.
Specialja, e cila i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, ka seli në Holandë dhe funksionon me staf ndërkombëtar, edhe pse e themeluar me ligje të Kosovës në vitin 2015. Atje po gjykohen ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
ZPS-ja e cila i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës, ka thënë se ish-eprorët e UÇK-së kanë qenë pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”. Avokatët hodhën poshtë të gjitha akuzat dhe argumentuan se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
“Është gjithashtu shumë e gabuar ta quash UÇK-në një organizatë kriminale, sepse, sigurisht, nuk është ashtu. Por unë isha gjithashtu i përfshirë personalisht gjatë luftës së Kosovës. Dhe në atë kohë, UÇK-ja ishin këmbët tona në terren, sepse ne nuk kishim njerëz në terren. Ata punonin për ne, për NATO-n. Dhe unë e di këtë, sepse isha i përfshirë. Pra të thuash tani që ata janë një organizatë kriminale, atëherë ne kemi punuar me një organizatë kriminale, NATO. Gjithsesi, shpresoj që protesta të jetë, sërish, dinjitoze, paqësore, por që njerëzit duhet, sigurisht, të shohin që kjo çështje duhet të marrë fund”, thotë ish-ambasadori Bosch./kosovapress

