Presidenti Thaçi theksoi në Samitin për Paqe të Evropës Juglindore 2019, i cili organizohet nga Federata Universale e Paqes, marrëveshja e mundshme midis Kosovës dhe Serbisë do t’i siguronte paqen gjithë rajonit. Ndërsa ish-ambasadori amerikan Chris Hill, u kërkoi vendeve të rajonit të fillojnë të zbatojnë standartet e BE-së.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se Kosova u bë shtet i pavarur në shkurtin e vitit 2008, duke shtuar tutje se, së bashku me njohjet e para të pavarësisë së Kosovës erdhi edhe mesazhi për perspektivën evropiane për shtetin më të ri në rajon dhe në Evropë.
“Se çfarë ka ndodhur më pas, kur bëhet fjalë për transformimin e paqes në një gjendje permanente dhe në stabilizim afatgjatë në mes të shteteve dhe popujve të kësaj pjese të Evropës…nuk mund të mburremi askush, as në rajon, as në Bruksel, me rezultatet e këtij Projekti të përbashkët”.
Presidenti i Kosovës theksoi se paqja afatgjatë e Ballkanit Perëndimor varet në masë të madhe nga paqja e përhershme në mes të Kosovës dhe Serbisë, Marrëveshja Gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila nuk ka si të mos përfundojë pa njohjen reciproke si dy shtete të pavarura dhe sovrane.
Presidenti shtoi se në Kosovë po paguajnë çmimin e rëndë të shtyrjes së vendimit për Liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe shtoi se Kosovës i është bërë padrejtësi ashtu si edhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Ne duam të bëhemi shtete anëtare të BE-së, sa më parë që është e mundur, sepse nuk kemi fat tjetër politik dhe historik, dhe as që duam fat dhe ardhmëni tjetër politike dhe historike. Këtu më duhet t’i kthehem bindjes sime të thellë që më së miri do të ishte nëse të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, së bashku do të inkuadroheshin në BE.”
Ndërkohë, ish-ambasadori amerikan Chris Hill, vlerësoi marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit.
Zoti Hill u kërkoi vendeve të rajonit të fillojnë të punojnë për të zbatuar standartet e BE-së dhe nënvizoi se BE nuk mund të jetë e plotë pa Ballkanin. /ABC news Albania 24/7