Irani: Sulmi kibernetik shkaktoi mbylljen e pikave të karburantit

schedule19:36 - 26 Tetor, 2021

schedule 19:36 - 26 Tetor, 2021

Një sulm kibernetik bllokoi pikat e karburantit në të gjithë Iranin të martën, duke zemëruar shoferët që prisnin në radhë të gjata.

Asnjë grup nuk mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin, i cili i bëri të papërdorshme kartat elektronike të lëshuara nga qeveria, që shumë iranianë i përdorin për të blerë karburant të subvencionuar.

Sulmi kishte ngjashmëri me një sulm tjetër, të disa muajve më parë, që dukej se sfidonte drejtpërdrejt udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ndërsa ekonomia e vendit po vuan pasojat e sanksioneve amerikane. Problemet ekonomike janë përkeqësuar pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani ende nuk janë rikthyer në marrëveshjen bërthamore të Teheranit me fuqitë botërore, nga e cila Uashingtoni u tërhoq gjatë mandatit të Presidentit Trump.

Televizioni shtetëror citoi një zyrtar të paidentifikuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të vendit, që pranoi se ka patur sulm kibernetik, disa orë pasi transmetoi imazhe të radhëve të gjata të makinave që prisnin të funrizoheshin me karburant në Teheran. Gazetarët e Associated Press panë gjithashtu radhë makinash në pikat e furnizimit me karburant në Teheran, dhe pika të tjera karburanti, të mbyllura.

“Kam pritur disa orë që pikat e karburantit të rihapen në mënyrë që të furnizohem”, tha një motoçiklist që pranoi të identifikohej vetëm me emrin Farzin. “Nuk ka karburant kudo që shkoj”, shtoi ai.

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve ISNA, e cila fillimisht e quajti incidentin një sulm kibernetik, tha se kishte parë njerëz që përpiqeshin të blinin karburant me një kartë të lëshuar nga qeveria, por ata merrnin një mesazh që thoshte “sulmi kibernetik 64411”. Shumica e iranianëve mbështeten në subvencione për të blerë karburant për automjetet e tyre, veçanërisht tani që ekonomia e vendit po ndeshet me probleme.

Ndërsa ISNA nuk e shpjegoi rëndësinë e mesazhit, numri brenda tij është i lidhur me një linjë telefonike të kontrolluar nga zyra e Khameneit që trajton pyetjet rreth ligjit islamik. ISNA më vonë hoqi raportimet e saj për këtë incident, duke pretenduar se edhe vetë ajo kishte qenë objekt i një sulmi kibernetik. Pretendime të tilla nxirren shpesh, kur lajmet e publikuara nga mediat iraniane zemërojnë qeverinë.

Kanalet satelitore në gjuhën farsi jashtë vendit, publikuan video të xhiruara me sa duket nga shoferët në Isfahan, një qytet i madh iranian, duke treguar tabela elektronike në të cilat thuhej: “Khamenei! Ku është karburanti ynë?” Një tjetër thoshte: “Karburant falas në pikën e furnizimit me karburant në Jamaran”, një referencë për shtëpinë e udhëheqësit suprem të ndjerë Ayatollah Ruhollah Khomeini.

Televizioni shtetëror tha se zyrtarët e Ministrisë së Naftës po mbanin një “takim urgjent” për të zgjidhur problemin. Disa pika karburanti që pranojnë vetëm para në dorë dhe nuk janë pjesë e rrjetit të kartave të subvencioneve vazhdojnë të shesin karburant.

Përdorimi i numrit “64411” pasqyron një sulm në korrik që pati në shënjestër sistemin hekurudhor të Iranit, në të cilin u shfaq numri i njejtë. Firma izraelite e sigurisë kibernetike “Check Point” më vonë tha se përgjegjës për sulmin ndaj sistemit hekurudhor ishte një grup hakerësh që e quajnë veten “Indra”, që është emri i perëndisë së luftës në besimin hindu.

“Indra” më parë ka vënë në shënjestër firmat në Siri, ku presidenti Bashar Al Assad ruajti pushtetin me ndihmën e Iranit, gjatë luftës në vendin e tij.

Karburanit i lirë konsiderohet praktikisht një e drejtë në Iran, ku ndodhen rezervat e katërta më të mëdha në botë të naftës së papërpunuar, pavarësisht dekadave të vështira ekonomike.

Subvencionet ua mundësojnë shoferëve iranianë të blejnë karburant me kosto të ulët, rreth 5 centë amerikanë për rreth 3 litra. Sipas kompanisë AAA, çmimi i karburantit në Shtetet e Bashkuara është mesatarisht 89 centë për litër.

Në vitin 2019, Irani u përball me protesta masive në rreth 100 qytete kundër rritjes së çmimit të karburantit. Forcat e sigurisë arrestuan mijëra vetë dhe Amnesty International tha se beson se 304 njerëz u vranë gjatë shtypjes së protestave nga ana e qeverisë. Sulmi kibernetik i së martës përkon me të njëjtin muaj të kalendarit persian në të cilin u zhvilluan protestat kundër rritjes së çmimit të karburanit në 2019.

Irani është përballur me një numër sulmesh kibernetike, duke përfshirë atë që publikoi video të abuzimeve në burgun famëkeq në Evin, në gusht.

Irani shkëputi pjesën më të madhe të infrastrukturës së tij qeveritare nga interneti pasi virusi kompjuterik “Stuxnet”, që besohet gjerësisht se ishte një krijim i përbashkët i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, ndërpreu mijëra centrifuga iraniane në impiantet bërthamore të vendit në fund të viteve 2000./VOA