Irani nis pasurimin e uraniumit

schedule18:45 - 7 Korrik, 2019

schedule 18:45 - 7 Korrik, 2019

Irani ka njoftuar nisjen e procesit të pasurimit të uraniumit përtej niveleve të përcaktuara nga marrëveshja ndërkombëtare. Autoritetet kane bërë të ditur se do te ndalen vetëm nëse vendet qe kane nënshkruar marrëveshjen,  e mbrojnë nga sanksionet amerikane.

Qeveria iraniane deklaroi se nga dita e diel do të intensifikojë pasurimin e uraniumit përtej limitit të vendosur në marrëveshjen bërthamore të 2015-s. Njoftimi i Teheranit zyrtar mund të nxisë gjithë komunitetin ndërkombëtar të rikthejë sanksionet ndaj Republikës Islamike, mbi të cilën deri më sot kanë rënduar ato të Shteteve të Bashkuara.

Duke shprehur shqetësimin e Perëndimit, Presidenti francez Emanuel Makron dënoi vendimin e Iranit duke e quajtur një “shkelje” të paktit nga i cili Shtetet e Bashkuara u tërhoqën vitin e kaluar. Ndërkohë, perspektiva e sanksioneve të reja është risjellë në vëmendje nga Kryeministri izraelit Beniamin Netanjahu, i cili tha se lëvizja e Iranit përbën një rrezik të jashtëzakonshëm dhe i bëri thirrje Europës që të rivendosë sanksionet pa u menduar.

Por në konferencën për shtyp, zyrtari iranian që bëri të ditur vendimin tha se Republika Islamike do të tkurrë angazhimet e saj në akord çdo 60 ditë, nëse vendet europiane që firmosën paktin e vitit 2015 nuk e mbrojnë nga sanksionet e vendosura nga presidenti Donald Trump.

“Ne jemi të përgatitur të pasurojmë uraniumin në çdo nivel dhe me çdo kosto”, deklaroi Beruz Kamalvandi, zëdhënës i Organizatës iraniane për Energjinë Atomike. Megjithatë, ai shtoi se Teherani është i gatshëm të tregojë fleksibilitet nëse edhe palët e tjera u përmbahen angazhimeve./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!