Iranianët votojnë të premten për të zgjedhur një president të ri. Por apatia e tyre po rritet, ndërsa vendi i Lindjes së Mesme po përjeton një rritje të rasteve me koronavirus dhe në kushtet e një ekonomie të shkatërruar nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara.
Në Iran presidenti shërben në këtë detyrë jo më shumë se dy mandate dhe kreu aktual i shtetit Hassan Rouhani ka shërbyer plot dy të tilla.
Shumë kandidatë për president ose janë tërhequr ose janë skualifikuar nga gara para votimeve të së premtes.
Të mërkurën, dy kandidatë të vijës së ashpër u tërhoqën nga gara, duke i dhënë mbështetjen e tyre Ebrahim Raisit, një tjetër kandidat i vijës së ashpër dhe kreu i gjyqësorit iranian.
Në zgjedhje garon gjithashtu ish-shefi i Bankës Qendrore Abdolnasser Hemmati, një kandidat reformist.
Analistët politikë thonë se fituesi i mundshëm do të jetë 60 vjeçari Ebrahim Raisit, i cili ka mbështetjen e Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei. Por përfshirja e tij në të kaluarën në raste të shkeljes së të drejtave të njeriut do ta bënte atë një president problematik për Perëndimin thotë analisti Behnam Ben Taleblu, i cili punon për fondacionin në Mbrojtje të Demokracive me bazë në Uashington.
“Ai është për fat të keq më i famshëm për mbikëqyrjen e pamëshirshme të të ashtuquajturit komisioni i vdekjes në fund të viteve 1980, i cili zbatoi urdhrin e Ajatollah Khomeinit, që çoi në vrasjen e mbi 5,000 të burgosurve politikë në Teheran“, tha zoti Taleblu.
Udhëheqësi suprem ka inkurajuar 59 milionë iranianët me të drejtë vote të marrin pjesë në votime, duke i paralajmëruar ata për një komplot të huaj për të minuar procesin. Të gjithë kandidatët për president u miratuan dhe u verifikuan nga Këshilli Kushtetues i Iranit.
Irani është tronditur nga një seri ngjarjesh të cilat kanë formësuar peisazhin zgjedhor. Vrasja e gjeneralit iranian Qassem Soleimani në janar të vitit 2020 në një sulm amerikan me dron nxiti zemërim të gjerë publik. Disa ditë më vonë, forcat iraniane rrëzuan aksidentalisht një avion ukrainas me pasagjerë, që rezultoi në vdekjen e të 176 personave në bordin e tij. Incidenti nxiti protesta anti-qeveritare në disa qytete.
“Ka pasur një cikël ngjarjesh të ndërlidhura që kanë zbehur ndjenjat popullore, përfshirë protestat e nëntorit të vitit 2019, për rritjen e çmimit të naftës të cilat u shtypën brutalisht. Pra iranianët e zakonshëm nuk janë posaçërisht të prirur për të votuar”, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës Sanam Vakil, nënkryetar i programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në organizatën “Chatham House” me qendër në Londër.
Që pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin, Teherani ka rritur në mënyrë të konsiderueshme pasurimin e uraniumit. Besohet se Irani ndodhet vetëm disa muaj larg prodhimit të materialeve të mjaftueshme për prodhimin e një arme bërthamore. ShBA po shqyrton mundësitë për rikthim tek marrëveshja me Iranin, por me kushtin që Teherani të ndalë pasurimin e uraniumit. Por Irani thotë se ShBA duhet që fillimisht të pezullojë sanksionet. Ndërkohë në Vjenë vazhdojnë ende bisedimet jo të drejpërdrejta mes palëve.
Të gjithë kandidatët presidencialë të Iranit mbështesin negociatat për të ringjallur marrëveshjen bërthamore./VOA