Një anëtar i komitetit parlamentar të sigurisë së Iranit, Esmail Kosari, tha se Irani po shqyrton seriozisht mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Ngushtica e Hormuzit është një nga kalimet detare më të rëndësishme në botë, përmes të cilës kalojnë rreth 20 milionë fuçi naftë çdo ditë, që përbën afërsisht 20% të konsumit global të naftës.
Historikisht, Irani ka kërcënuar vazhdimisht të mbyllë ngushticën në përgjigje të sanksioneve ndërkombëtare ose kërcënimeve ushtarake, por kurrë nuk ka ndërmarrë një hap të tillë.
Disa transportues tashmë po e shmangin ngushticën dhe çmimet e naftës janë rritur nga frika e ndërprerjeve të mundshme të furnizimit.
Ndryshe, ngushtica e Hormuzit lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe Oqeanin Indian dhe kontrolli i këtij kalimi të ngushtë i jep Iranit një avantazh të rëndësishëm gjeopolitik.
Megjithatë, çdo përpjekje për të mbyllur ngushticën ka të ngjarë të provokojë një reagim të ashpër ndërkombëtar, duke përfshirë ndërhyrjen e mundshme ushtarake për të siguruar lirinë e lundrimit.