Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Emir Abdullahian tha se këmbëngulja e SHBA-së dhe Izraelit për vazhdimin e luftës nënkupton gjenocid të ri në Gaza dhe Bregun Perëndimor,
Abdullahian u prononcua në rrjetin social X në lidhje me sulmet e vazhdueshme izraelite në Gaza pas përfundimit të “pauzës humanitare” mëngjesin e sotëm.
Ai theksoi se nuk ka zgjidhje tjetër përveç vendosjes së armëpushimit në Gaza, dërgimit të ndihmës intensive humanitare në rajon dhe arritjes së marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve ndërmjet palëve.
Duke vënë në dukje se të burgosurit mund të vriten nga bombardimet izraelite, Abdullahiyan tha: “Këmbëngulja e Washingtonit dhe Tel Avivit për vazhdimin e luftës nënkupton një gjenocid të ri në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Me sa duket, ata nuk po mendojnë për pasojat e rënda të kthimit në luftë. Ndaloni sulmet në Gaza menjëherë para se të jetë vonë”.
Mëngjesin e sotëm ka përfunduar “pauza humanitare”, e cila hyri në fuqi të premten e 24 nëntorit, në kuadër të marrëveshjes mes Izraelit dhe Hamasit. Izraeli më pas filloi menjëherë sulmet dhe bombardimet në disa lokacione në Rripin e Gazës.
Më shumë se 15.000 palestinezë, përfshirë 6.150 fëmijë dhe 4.000 gra, u vranë në Rripin e Gazës midis 7 tetorit, kur filluan sulmet izraelite dhe shpalljes së “pauzës humanitare”, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.
Numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është 1 200.