Gjyqësori i Iranit urdhëroi të shtunën qeverinë amerikane të paguajë 330 milionë dollarë për përfshirjen e saj të supozuar në grushtin e dështuar të vitit 1980 që synonte të përmbyste Republikën Islamike.
“Pas apelit të paraqitur nga familjet e viktimave të grushtit të shtetit Nozeh, një gjykatë e Teheranit ka urdhëruar SHBA-në të paguajë 330 milionë dollarë”, njoftoi agjencia e lajmeve gjyqësore, Mizan Online.
Në korrik 1980, një vit pas revolucionit islamik, një grup oficerësh të Forcave Ajrore planifikuan të bombardonin rezidencën e Ayatollah Ruhollah Khomeinit, qendrat ushtarake dhe të merrnin kontrollin e televizionit shtetëror.
Por një ditë para këtij operacioni, më shumë se 120 persona u arrestuan për përfshirjen e tyre të dyshuar në grushtin e shtetit. Tre persona u vranë në përleshjet midis forcave qeveritare dhe puçistëve rreth bazës ajrore Nozeh në Iranin perëndimor, ku do të niste grushti i shtetit.
“Në korrik 2022, një padi u ngrit para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Teheran nga familjet e tre dëshmorëve të grushtit të shtetit Nozeh kundër qeverisë amerikane për planifikimin dhe ekzekutimin e grushtit të shtetit”, raporton Mizan Online.
Shumë oficerë ushtarakë të rangut të lartë, duke përfshirë komandantin e fundit të Forcave Ajrore të shahut, u ekzekutuan për rolin e tyre në grushtin e shtetit.abcnews.al