Në aktivizimin e centrifugave të avancuara për pasurimin e uraniumit, Irani vijon të reduktojë detyrimet ndaj marrëveshjes për programin bërthamor të vendit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat ishin të parat që u tërhoqën nga kjo marrëveshje, deklaruan se nuk ishin të befasuara nga vendimi i Teheranit.
Irani deklaroi se ka ndezur centrifugat e avancuara për pasurimin e uraniumit, një tjetër hap ky në reduktimin e detyrimeve të parashikuara nga marrëveshja për programin e tij bërthamor i firmosur në vitin 2015 me fuqitë e mëdha. 40 centrifuga tashmë janë në funksion sipas zëdhënësit të agjencisë bërthamore të Teheranit. Uranium i pasuruar mund të përdoret për të ushqyer reaktorët e centraleve bërthamore, por dhe për të prodhuar armë bërthamore. Kreu i agjencisë ndërkombëtare për energjinë bërthamore, kornel Feruta do të takohet të dielën me zyrtarë iranianë. Teherani deklaroi se masat e marra janë të pakthyeshme nëse partnerët e tjerë nuk respektojnë detyrimet e tyre. Por ndërkohë Irani do të lejojë zyrtarë të agjencisë ndërkombëtare bërthamore që të inspektojnë strukturat bërthamore në vend. Në muajin korrik Irani vendosi të mos respektojë më detyrimet e marrëveshjes ndërkombëtare, si reagim ndaj vendimit të shteteve të bashkuara të amerikës për tu tërhequr. Presidenti amerikan Donald Tramp synon të detyrojë Teheranin që të negociojë një marrëveshje të re që të ketë kufizime të qarta për programin e saj bërthamor. Por Irani e ka refuzuar deri tani një gjë të tillë. Vendet e tjera që kanë firmosur marrëveshjen, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Kina dhe Rusia, u përpoqën të shpëtonin marrëveshjen por sanksionet e reja amerikane shkaktuan rënien e eksportit të naftës iraniane.
Shtetet e bashkuara të amerikës nuk janë shprehur të befasuar nga vendimi i Iranit. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Mark Esper deklaroi se Irani po vijon të bëjë atë që ka bërë gjithnjë. /ABC News Albania 24/7