Parada e Gardës Revolucionare që do të tregonte fuqinë e Iranit është kthyer në një masakër. Një grup i armatosur ka hyrë në veprim duke vrarë 25 persona, ushtarakë dhe civilë. Në reagimin e tij, Teherani zyrtar ka fajësuar vendet fqinje dhe padronët amerikanë, që sponsorizojnë terrorizmin.
Persona të armatosur kanë hapur zjarr gjatë paradës ushtarake iraniane në qytetin jug-perëndimor të Ahvazit, duke vrarë 25 persona dhe plagosur 60 të tjerë. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, agresorët qëlluan nga një park pranë rrugës ku po zhvillohej parada duke vrarë ushtarakë dhe civilë. Agjencia e lajmeve “Fars” ka bërë me dije se ngjarja ndodhi në 9, me orën lokale, rreth 7 e 30 të mëngjesit me orën tonë dhe se autorët ishin të veshur me uniforma ushtarake. Fillimisht ata hapën zjarr ndaj civilëve dhe më pas u përpoqën të qëllonin ndaj oficerëve të lartë të mbledhur në podium për të ndjekur paradën. Thuajse gjysma e viktimave ishin anëtarë të Gardës Revolucionare Iraniane. Duke reaguar, presidenti Hasan Ruhani ka premtuar një përgjigje të ashpër ndaj përgjegjësve. “Përgjigjia e Republikës Islamike edhe ndaj kërcënimit më të vogël do të jetë e ashpër, por përgjegjësi do të mbajnë edhe ata që sponsorizojnë terrorizmin”, ka deklaruar Ruhani. Grupi arab Rezistenca Kombëtare e Ahvazit dhe Shteti Islamik kanë marrë përsipër sulmin. Por ministri i Jashtëm, Xhavad Zarif ka theksuar se Teherani konsideron përgjegjës vendet fqinje dhe padronët e tyre amerikanë. Agjencia e lajmeve “Irna” ka bërë ndërkohë të ditur se mes viktimave ka edhe gra e fëmijë. Ndërkohë ka paqartësi sa i përket fatit të autorëve. Mediat shtetërore thonë se të kartërt ata janë vrarë, por më pas një zyrtar vendas deklaroi se dy prej tyre janë vrarë, ndërsa dy të tjerë janë arrestuar. Reagimi i parë nga jashtë lidhur me ngjarjen ka ardhur nga Rusia. Kremlini ka deklaruar se është e gatshme të mbështesë Iranin në luftën kundër terrorizmit. /abcnews.al